“Traktati Gjithëpërfshirës i Partneritetit Strategjik” i rënë dakord nga krerët e Koresë së Veriut dhe Rusisë në qershor hyri në fuqi të mërkurën me shkëmbimin e instrumenteve të ratifikimit në Moskë, njoftoi të enjten agjencia e lajmeve KCNA e Veriut.
Traktati u nënshkrua gjatë vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në Phenian në qershor dhe një samiti me Kim Jong Un të Koresë së Veriut, dhe përfshin një pakt mbrojtës të ndërsjellë për ndihmë të menjëhershme ushtarake nëse njëri përballet me agresion të armatosur.
Formalizimi i marrëveshjes vjen pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut kanë akuzuar Veriun e armatosur me armë bërthamore se ka dërguar më shumë se 10.000 ushtarë për të ndihmuar Rusinë të luftojë Ukrainën.
Marrëveshja e partneritetit strategjik i detyron të dy shtetet të ofrojnë ndihmë ushtarake pa hezitim në rast të një sulmi ndaj tjetrit dhe të kundërshtojnë së bashku sanksionet perëndimore.
Koreja e Veriut dhe Rusia kanë forcuar lidhjet e tyre ushtarake që nga ndërhyrja ushtarake në Ukrainë nga Moska në shkurt 2022.
Të dyja vendet janë nën sanksionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e para për programin e saj të armëve bërthamore dhe e dyta për konfliktin në Ukrainë.



