
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka akuzuar kreun e qeverisë Albin Kurti, se është politikan që “shkel mbi çdo gjë për ta ruajtur pushtetin”. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai komentoi takimin e sotëm që pritet të mbahet në Bruksel në mes të Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Sikur bisedat e sotme në Bruksel lidhur me asociacionin të ishin pjesë e ‘Marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë’, ndoshta do i kisha kuptuar dhe arsyetuar qeveritarët aktual. Por, pa kurrfarë premtimi për njohje reciproke, e me gjithë atë dhunë që kreu aktual i qeverisë ka përdorur për të kundërshtuar asociacionin, negocimi i statutit të asociacionit që ndodh sot në Bruksel është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin”, ka shkruar Hoti.
Dy nga temat kryesore të takimit të sotëm janë pagjeturit dhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.



