
Komisioni hetimor për inceneratorët u bë pjesë e debateve në Parlament, ku kryedemokrati Lulzim Basha, akuzoi qeverinë për miratimin e 17 vendimeve në mënyrë të fshehtë, lidhur me procedurat për Inceneratorët.
Kreu i opozitës foli për tre shokë, Arben Ahmetaj, Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, për të cilët tha se shkuan te Kryeministri, për ta njohur me “biznesin e plehrave”.
E kanë parë reagimin publik të Partisë Demokratike dhe pastaj kanë procedura në fshehtësi. Si e tregon fakti që brenda tetë orëve kanë miratuar 17 vendime. Që t’i jepet dikujt pa garë mundësia të garojë. Dhe pastaj me një skemë krejt tjetër i njëjti person përfitoi 23 milionë euro me Inceneratorin e Fierit.
Sipas tij, bëhet fjalë për një aferë që në tërësi është gdhendur në kokat e çdo shqiptari, pasi bëhet fjalë për 430 milionë euro.
Është e pamundur që një njeri i vetëm pa asnjë përvojë përveç asaj që ka pasur si anëtar i bandës së Lushnjes. Papritur u bë zgjidhësi i madh i problemit të plehrave në Shqipëri. Pse ka krijuar dhjetëra kompani.
Ai tha në dalje të parlamentit se kjo aferë është test për të provuar prokurorinë e posaçme, SPAK.
Është detyra jonë të qëndrojmë në krahë të prokurorëve të ndjeshëm të SPAK. Keni mbrojtje speciale, fitojeni besimin, meritojeni besimin. Ne do të vëzhgojmë, nuk do të jemi indiferentë. Nuk do të pranojmë që 430 milionë euro të përfundojnë në procese të shkëputura penale dhe me ndonjë kurban.
Ai tha se maskarada e inceneratorëve nuk mund të fshihet dhe nënvizoi se PD, nuk do të mjaftohet me kallëzimin në SPAK.



