
Avokati Franc Nuri tha në studion e MCN Live se thirrja e Agron Nezës në SPAK është një hap i vonuar megjithëse shumë i rëndësishëm. Duke folur për komisionet hetimore, Nuri theksoi se një nga arsyet pse po pengohet ngritja e tyre, mund të jetë dhe suksesi që pati komisioni hetimor i inceneratorëve.
Sipas Nurit, jemi në kushtet në të cilat qeveria nuk jep llogari për asgjë dhe se shqiptarët presin nga drejtësia që të nxjerrë para përgjegjësisë persona të caktuar.
E vlerësoj pak të vonuar këtë hap sot, por është i rëndësishëm.
Është shumë i rëndësishëm nëse do konfirmohet se thirrja është për McGonigal.
Komisioni hetimor i inceneratorëve ishte nga më të suksesshmit dhe pati rezultate. Ishte komision hetimor që pati rezultate. Për herë të parë Rama erdhi në Kuvend dhe dha llogari. Jo vetëm Rama, por edhe eksponentë të tjerë dhanë dëshmi dhe u ballafaquan me dëshmitë e tyre në organet e hetimit. Pati dhe deklarata kontradiktore ku në bazë të tyre prokurorët ndoqën dhe hetime në ministri të tjera.
Sot po shohim pengesë totale ndoshta dhe për shkak të suksesit të komisionit hetimor të inceneratorëvë. Kemi iniciuar nisjen e 8 komisioneve hetimore. Një nga këto është dhe rasti McGonigal ku është thirrur dhe Neza. Përtej McGonigal janë dhe rastet e udhëtimit me charter të Ramës. Edhe ai ishte komision që ka qenë në listën e komisioneve që opozita kërkoi.
Kushtetuta e ka të qartë që një komision hetimor ngrihet me detyrim në momentin që e nënshkruajnë më shumë se ¼ e deputetëve. Mjaftojnë ta kërkojnë ¼ e deputetëve. Mazhoranca ka bërë çmos që këta komisione të kërkuara, si abuzimi me të dhënat TIMS, apo patronazhistët, apo skandalet e tjera në shëndetësi kanë bërë të mundur të mos vazhdojë hetimi i tyre. Jemi në kushtet që qeveria nuk jep llogari dhe presim nga drejtësia që të vendosë persona të ndryshëm përpara përgjegjësisë.
Po kërkojmë si opozitë të na njihen të drejtat kushtetuese. Është e drejtë kushtetuese që kur firmosin 35 deputetë për një komision, të njihet në mënyrë automatike. Është detyruese.
Më tej, Nuri thotë se mazhoranca propozon që çdo gjë të jetë jo transparente dhe që të jenë ata që do e vendosin objektin e hetimit.
Ne kërkojmë të ngrihen se është e drejtë e opozitës dhe është e drejtë e saj t’i kërkojë llogari Ramës apo ministrave. Nuk po kërkohet të bëhet gjyq.
Ata propozojnë që çdo gjë të mos jetë transparente, por e mbyllur.
Propozojnë që objektin ta kontrollojë mazhoranca.
Është çdo gjë së prapthi.



