
Një vepër unike e mjeshtrit italian të Rilindjes së hershme, Cimabue, u shit në një ankand në Francë për 24 milionë euro (26,6 milionë dollarë). Vepra ka qëndruar e varur në një kuzhinë për shumë vite me radhë, pasi pronari nuk ia ka ditur vlerën.
Shtëpia e ankandeve Acteon priste që piktura të arrinte 4-6 milionë euro, por çmimi përfundimtar tejkaloi çdo parashikim , duke arritur katërfishin e kësaj vlere. Blerësi, i cili pagoi shumën më të lartë ndonjëherë për një pikturë mesjetare, mbetet anonim.
Cimabue, i cili jetoi në Firence në vitin 1272 - 1302, besohet se ka luajtur një rol kryesor që piktorët italianë të hiqnin dorë nga stili bizantin dhe të shkonin drejt Rilindjes. Çmimi i lartë që arriti piktura mund të shpjegohet edhe me faktin se puna e artistit, i njohur gjithashtu si Cenni di Pepo, doli në shitje për herë të parë prej disa dekadash.
Zbulimi i kryeveprës së hershme të Rilindjes u njoftua muajin e kaluar dhe u bë një sensacion në botën e artit. Ajo ishte në pronësi të një gruaje nga qyteti Compiegne në Francën veriore, e cila mendonte se piktura ishte thjesht një ikonë e vjetër fetare. Piktura ishte vendosur mes kuzhinës dhe dhomës së saj të ndenjes, ku ka mbledhur pluhur dhe yndyrë për vite me rradhë. Piktura pparaqet një skenë nga kryqëzimi i Krishtit. Vërtetësia e tij u konfirmua përmes analizës me rreze infra të kuqe. Pas pastrimit të sipërfaqes u zbulua piktura e bërë në dru në përmasa 26 nga 20cm, në gjendje të shkëlqyer.



