
Policia ka ekzekutuar 20 nga 33 masat e sigurisë të lëshuara në lidhje me skandalin e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë “Kurum”.
Gazetarja Ola Xama, në një prononcim për edicionin informativ të MCN TV, deklaroi se kompania Kurum International dhe Sokolaj SHPK kishin dijeni të plotë për rrezikshmërinë e mbetjeve që po transportonin.
Sipas saj, në këtë rast ka dështuar i gjithë zinxhiri i hallkës kontrolluese dhe monitoruese.
Sasia e mbetjeve të rrezikshme që gjeneronte në vit kompania Kurum varionte nga 25 deri në 30 mijë ton. Ndërkohë, sipas të dhënave, vetëm rreth 2 800 ton mbetje janë nisur drejt Tajlandës, çka ngre pikëpyetje serioze për fatin e sasisë tjetër: ku kanë përfunduar, si janë trajtuar dhe kush ka mbajtur përgjegjësi për to.
Kjo pyetje nuk lidhet vetëm me mbetjet që u kapën, pasi ishte një rrjet ndërkombëtar ai që i denoncoi dhe dha sinjalet për ekzistencën e mbetjeve të rrezikshme. Megjithatë, përgjigje për këtë situatë, nuk ka dhënë ende AKSHI.
Hetimet e Prokurorisë së Durrësit, sipas Xamës, kanë vërtetuar se i gjithë zinxhiri i monitorimit ka dështuar.
Në momentin kur kemi të bëjmë me kompani që prodhojnë mbetje të rrezikshme, nuk mjaftojnë inspektimet e përgjithshme vjetore, por duhen edhe inspektime tematike dhe të shpeshta.
Po ashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar gabime, mungesë mbikëqyrjeje dhe shkelje nga ana e inspektorëve të agjencisë përgjegjëse, edhe gjatë inspektimeve jo tematike, ka kontribuar në përmasat e këtij skandali.



