Policia e Shtetit jep detaje rreth aksionit që u zhvillua në Mat ku u sekuestruan rreth 2 ton kanabis. Sipas policisë, target e mjetit që u gjet në fshatin Mys nuk përkonin, ndërsa në pranga ka rënë bashkëshortja e 48-vjeçarit Fatmir Shehi, i cili është shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me informacionin e dhënë me datë 05. 10. 2016, për operacionin policor anticannabis në territorin e rrethit Mat, ku Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit asgjësoi 10.600 bimë narkotike, në fshatin Myz, Njësia Administrative Lis Bashkia Mat, dhe u shpall në kërkim një shtetas si i dyshuar kryesor i kultivimit të bimëve narkotike, në vijim të punës në mënyrë intensive nga ana e Policisë Matit dhe Prokurorisë për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale për të çuar para drejtësisë personat e implikuar në këtë ngjarje rezultoi se: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat,gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Fatmir Shehi, në njërën nga dhomat u gjet një sasi lënde narkotike, në formë boçeje, në proçes tharje, me peshë rreth 2 kilogramë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në këto kushte nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, u bë arrestimi në flagrancë e shtetases: Nexhmije Shehi, 48 vjeç, banuese në fshatin Myz, njësia Administrative Lis Mat( bashkëshortja e shtetasit Fatmir Shehi i cili është shpallur në kërkim nga ana jonë). Po në vijim të veprimeve gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, në afërsi të vendit ku u gjetën të kultivuara 10600 bimët narkotike, është gjetur i braktisur një automjet tip "Toyota", me targa AA 598 AM. Nga verifikimi në sistem rezultoi se këto targa nuk i përkasin këtij mjeti i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet proceduriale në lidhje me këtë ngjarje do t'i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat për veprime të mëtejshme për veprat penale “ Prodhim e Shitje të narkotikëve “ dhe Kultivim të bimëve narkotike’’ parashikuar nga nenet 283 e 284 të Kodit Penal.



