
Një fitore diplomatike e konsideron gazetari Robert Papa marrëveshjen për armëpushimin 30-ditor në infrastrukturën energjetike mes Trump dhe Putin pasditen e kësaj të marteje, megjithëse shton se duhet pasur kujdes pasi edhe pse parimisht Presidenti rus ka rënë dakord, kanë mbetur për t’u dakordësuar disa detaje në të cilat duhet pasur vëmendje të shtuar. Përmes një lidhje “Skype” me studion e MCN Live, Papa tha se edhe pse në dukje Trump është i butë, ai do i vendosë disa kushte Putinin.
Trump është bindur që gjakderdhja duhet të ndalojë. Është sulmuar nga e majta, gazeta dhe televizione të ndryshme pse kaq i butë me Putinin se është diktator. Trump e di që Putin është diktator por mënyra për ta thërritur në tavolinë është vetëm kjo.
Trump edhe pse duket në pamje i butë do i kërkojë disa kushte Putinit. Nuk është folur fare për tokat e pushtuar, të paktën kjo nga deklarata e Shtëpisë së Bardhë. I vetmi problem që do të krijohej është nëse Putini nuk do të mbante fjalën. Ai ka rënë dakord për armëpushimin, por kanë mbetur disa detaje. Por djalli fshihet në detaje. Nëse ai do të sulmonte Kievin kjo do të ishte vija e kuqë për presidentit amerikan.
Mediat këtu thonë se kanë rënë dakord për 100-175 të burgosur. Nuk është folur për fëmijët, janë 20 mijë fëmijë të rrëmbyer nga Rusia. Duket fillimisht si fitore diplomatike për Trump. Trump është i bindur se nëse arrin paqen me Rusinë edhe pse në kurriz të Ukrainës dhe injoron Europën ai do të ishte një kandiDat për çmimin Nobel.



