Në qytetin e Përmetit është përkujtuar 81-vjetori i Kongresit, aktivitet që mblodhi nostalgjikë të shumtë të ish-diktatorit Enver Hoxha. Historiani Beqir Meta thotë se Kongresi i Përmetit është një gur kilometrik i rëndësishëm për vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipëri.
U morën disa vendime me ndikim. Gjëja kryesore ishte se komunistët e merrnin pushtetin të vetëm dhe ndaluan kthimin e Zogut. Kongresi i Përmetit nuk erdhi nga një situatë boshe, por pas disa ngjarjeve të dhimbshme si prishja e marrëveshjes së Mukjes. Hapi tjetër i rëndësishëm ishte konferenca e Labinotit ku u vendos që i vetmi pushtet ishin këshillat nacionalçlirimtare. Pas kësaj është urdhri i Enver Hoxhës për shpartallimin me armë të Ballit Kombëtar që shënoi fillimin e luftës civile në Shqipëri. Fill pas Kongresit të Përmetit kemi shtrirjen e luftës në veri të Shqipërisë. Pushteti i Enver Hoxhës nuk ishte ende i fortë si pushtet personal. Por këtu kemi pushtetin e Partisë Komuniste, që kishte rolin e një Parlamenti. Ky Kongres nuk pati asnjë njohje. Aleatët nuk e njohën.
I pyetur për referendumin e vitit 1946 për formën e regjimit, Meta tha se ai u mbajt pasi Enver Hoxhës i duheshin zgjedhje, pasi Kongresi nuk pati njohje nga jashtë.
Enver Hoxha nuk mori njohje ndërkombëtare me Kongresin e Përmetit. Ai u bë për të rregulluar institucionet dhe për t’iu imponuar popullit. Enver Hoxhës i duheshin zgjedhje dhe erdhi asambleja e vitit 1946, kur ai shpalli Kushtetutën dhe Republikën Popullore.



