
Ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mbështetet nga krerët e diplomacisë gjermane dhe austriake. "Ne besojmë, që kjo mund të hapë shumë plagë të vjetra në popull", tha ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Vjenë. Sipas tij, diskutimet për shkëmbim territoresh nuk çojnë në drejtimin e duhur.
Edhe presidenca austriake e BE-së tregohet skeptike.
"Ndryshimet e kufijve, sikurse e kemi parë herë pas here, nxjerrin probleme", citon DW ministren e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl.
Ideja për korrigjimin e kufijve, e hedhur javët e fundit nga presidenti Hashim Thaçi, ka shkaktuar debate në Kosovë e Serbi. Propozimi për shkëmbim territoresh parashikon, që pjesë të veriut të Kosovës të banuara me shumcië serbe t'i kalojnë republikës serbe. Në këmbim, rajoni i Preshevës në jug të Serbisë me shumicë shqiptare t'i bashkohet Kosovës.
Një marrëveshje e tillë, nëse realizohet, do ta kishte të vështirë të merrte mbështetjen e Parlamentit të Kosovës.



