
Një ekspozitë e hapur në Vlorë mbi krimet e komunizmit, me fokus te persekutimi i firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë dhe familjarëve të tyre, ka zgjuar një interes të madh te qytetarët.
Dorina Daiu, koordinatore e edukimit dhe informimit publik pranë Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, tha për “MCN Informacion” se përmes kësaj ekspozite synohet të përcillet mesazhi se, duke njohur të kaluarën, brezat e rinj bëhen më të aftë të mbrojnë demokracinë.
Ideja për hapjen e një ekspozite të tillë në Vlorë ka lindur vitin e kaluar, duke u fokusuar pikërisht te përndjekja e firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë dhe familjeve të tyre.
Kjo është një nismë e Institutit për të sjellë më afër publikut një pjesë të historisë që ka mbetur e heshtur për dekada me radhë.
Materialet e ekspozitës janë marrë nga Arkiva Qendrore e Shtetit, nga dokumente të ish-Sigurimit, formularë, si dhe dosje gjyqësore që dalin për herë të parë për publikun.
Reagimi i të rinjve ndaj ekspozitës ka qenë mjaft surprizues; shumë prej tyre janë shprehur të habitur nga ashpërsia dhe represioni komunist, dhe kanë kërkuar më shumë informacion mbi shkeljet e lirive dhe dhunën e ushtruar ndaj këtyre personave.
Po ashtu, ata janë interesuar të kuptojnë se si kjo e kaluar mund të ndikojë në realitetin e sotëm.
Mesazhi që synojmë të përcjellim është se e vërteta historike është themeli i shoqërisë sonë.
Duke njohur krimet e së kaluarës, brezat e rinj bëhen më të aftë të mbrojnë demokracinë dhe të vlerësojnë liritë që sot i kemi të mirëqena. Pa kujtesë historike, ne rrezikojmë të përsërisim të kaluarën.



