Zbardhet dinamika e plagosjes së 28-vjeçarit Ari Kodra, të ndodhur dje në një lokal në fshatin Mollaj, në Korçë, duke vënë në pranga autorin e dyshuar i cili ka mbetur i dëmtuar gjatë konfliktit.
Efektivët e policisë pas njoftimit të marrë, se në fshatin Mollaj kishte pasur një konflikt për motive të dobëta, ku kishte mbetur i dëmtuar një 28-vjeçar me thikë, i cili u transportua në spital në gjendje të rëndë për jetën, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e 41-vjeçarit, si autor i dyshuar i ngjarjes, Aleks Qiqi, 41 vjeç, banues në fshatin Mollaj, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, bazuar dhe në pamjet filmike, u bë zbardhja e plotë e ngjarjes, ku u vendosën në pranga edhe katër persona të tjerë, I. D., 45 vjeç, Th. P., 47 vjeç, Dh. K., 47 vjeç, dhe B. S., 33 vjeç, banues në fshatin Mollaj, të dyshuar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.
Katër të ndaluarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndërhyrë menjëherë pasi 41-vjeçari plagosi 28-vjeçarin., duke e goditur me grushta autorin e plagosjes dhe duke i shkaktuar plagë në pjesën e kokës dhe të trupit.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan thika, një aparat celular dhe pamjet filmike.



