Deputeti i PS Etjen Xhafaj duke folur në MCN Live pranoi se ka një garë brenda llojit te socialistët për votat nominale në listën e hapur, por tha se po luhet drejtë.
Xhafaj vuri në dukje se pamundësia e kryebashkiakut Erion Veliaj për t’u përfshirë në fushatë është minus për PS-në, por stimul që kandidatët socialistë të punojnë më tepër.
Xhafaj tha se Partia Socialiste do të marrë 20 mandate në Tiranë.
I pyetur a keni bindjen që do fitoni mandatin dhe cili ishte shqetësimi i kryeministrit Rama që bëri kritika duke thënë mos kaloni kufijtë midis deputetëve, Xhafaj tha:
“Patjetër që ka një garë brenda llojit edhe për votat nominale. Ajo që tha kryeministri është diçka shumë e drejtë, që i deleguari politik i një zone ka atribute politike për të punuar me strukturën për të maksimalizuar votën dhe të tjerët që ndërhyjnë, nuk kalojnë përmes strukturave të partisë, por strukturave të tyre, miqve, të njohurve, familjarëve. Është një vijë e hollë që ndan njërën nga tjetra, mund të ketë ngatërrime, por po luajmë një luftë të drejtë me njëri-tjetrin".
I pyetur a ka rol Erion Veliaj në fushatën e PS, Xhafaj tha:
“Unë mendoj që Erioni që është një mik i imi, familjar, ka një rol, sepse Erioni ka qenë motori i punëve në Tiranë. Rol ndikues pastaj, kjo është diçka tjetër, sepse duke qenë i ndaluar, nuk besoj se roli i tij është aq shumë ndërhyrës, por si model pune, patjetër që ai ndikon.
Ata që janë votuesit e tij socialistë që e zgjodhën kryetar bashkie me mbi 60 mijë vota diferencë, janë një faktor shumë i rëndësishëm dhe thelbësor në zgjedhje. Pamundësia e tij për t’u përfshirë do të thotë që ne duhet të bëjmë dyfishin e punës. Pamundësia e tij për t’u përfshirë është minus për PS-në, por stimul që të punojmë më tepër. Ajo që më tha kryeministri s’kishte lidhje me faktin nëse mbështetja Erionin.
Nuk mendoj se më ka dëmtuar, ka qenë një shembull edhe i debatit të shëndetshëm në PS. Unë nuk synoja të sulmoja SPAK-un, po thoja që të gjitha hallkat duhet të bëjnë punën e tyre. Mendoj që PS merr 20 mandate në Tiranë”.
I pyetur se sa ngjitur karta e integrimit europian në terren, Xhafaj tha:
“Ne jemi nga ai që ishte vagoni i fundit për në BE, vagoni i parë bashkë me Malin e Zi, këtë e kanë pohuar të gjithë institucionet e BE-së. Sot ne presim hapjen e 4 grup-kapitujve nga ky moment deri në qershor. Unë mendoj që PS gjykon që ne jemi jo vetëm të gatshëm, por në gjendje për të bërë hapat e nevojshme për të avancuar në këtë drejtim.
Prandaj është BE në qendër të objektivit, jo për të tundur karotën, por për të thënë që jemi të gatshëm të ndërmarrin të gjithë hapat institucionalë. S’është vetëm objektivi, janë përfshirë të gjitha hapat që duhen shkelur para se të arrijmë te objektivi”.
Xhafaj denononcoi një kandidat të opozitës se ka dërguar një email ku kërkon votën e prindërve të fëmijëve në një shkollë.
“Ne kemi ndërmarrë hapa kritikë dhe thelbësorë për reformën në drejtësi. Jemi duke i ritakuar qytetarët, ku nga një anë dëgjojmë kritikat e tyre, dhe rikonfirmimet për ato që janë bërë. Edhe sot kam dëgjuar lajme të veprave që ndërmerr opozita, që po t’i ndërmerrnim ne si mazhorancë, do ishim në hetim të thelluar.
Psh. një email i dërguar në emër të një institucioni arsimor privat nga një koleg i opozitës, ku prezantohej dhe kërkonte votën nga prindërit e fëmijëve që janë në atë institucion arsimimi, që po ta bëja unë do ishte krim elektoral. Me vjen ky email si prindi i fëmijës që shkon në atë shkollë".



