Politologu Ilir Kalemaj duke folur në Mcn Live tha se Banka e Shqipërisë është kthyer në një agjenci punësimi në mënyrë jo meritokratike. Po ashtu ai i konsideroi si alarmante pretendimet për përgjime të mundshme nga AKEP-i përmes pajisjes DPI.
"Lidhur me deklaratën e guvernatorit Sejko që Bankës së Shqipërisë i është prekur pavarësia, Kalemaj tha: “Nëse banka s’mban përgjegjësi për funksionin rregullator, për çfarë mban përgjegjësi?! S’ka asnjë transparencë për shpenzimet e rikonstruksionin e ish-hotel Dajtit. Banka e Shqipërisë është bërë agjenci punësimi në mënyrë jo meritokratike. Për të vajtur te euro, BSH mundohet ta justifikojë, por nga ana tjetër del dhe thotë kemi hequr 1 miliard euro nga tregu, por s’shpjegon si ka shkuar 96-97 euro. Kjo ka zhytur grupe të tëra të shoqërisë. Duhet të informojë sepse është fluksi i parave të pista”.
“AKEP na u marrka me përgjime në nivel kombëtar! Përgjon ata që janë elementë të rrezikshëm për pushtetin, shkel privatësinë dhe Konventën e të Drejtave të Njeriut. S’mund të kalohen me lehtësi, në një vend tjetër do kishin ngritur alarmin”.
Duke komentuar deklaratat e fundit të kreut të SPAK Altin Dumani mendon që ka patur një ekzagjerim në lidhje me pretendimet për shantazh nga media dhe politika.
“Të themi që është shantazhuar nga media SPAK-u? SPAK-u s’është Republikë më vetë. Nga politika natyrisht ka pasur edhe gjuhë acide, por duhet të ndajmë pjesën e retorikës nga shantazhi politik, s’besoj se ka arritur politika deri te shantazhi, apo kufizimi i SPAK. Këto janë ekzagjerime. Sa i përket medias, besoj që është e pafalshme të kritikohet media. Reforma në drejtësi ka shumë probleme, ka shumë dosje të mbetura stok. Të themi që është e pavarur nga politika s’e themi dot. Ka konflikt interesi sa të duash, çështje që janë zvarritur. Dumani ka të drejtë në disa gjëra, te dekonspirimet nga Policia, apo ekzekutimi i vendimeve nga Policia dhe që shumë gjëra varet nga letër-porositë me organizatat partnere. Por gjërat e tjera duhet t'i marrim pak me rezervë”.



