Aeroporti i Rinasit kaloi sot zyrtarisht në duart e kompanisë Kastrati. Në studion e TvT, gazetari Klodian Tomorri e komentoi këtë si një zhvillim pozitiv. Tomorri tha se shteti nuk ka kapacitetet për administrimin e aeroportit dhe në këto kushte, është pozitiv fakti që ai i jepet një kompanie shqiptare.
“Ka një gjë që duhet thënë. Nuk besoj se menaxhimi i aeroportit të Rinasit do t’i kthehet shtetit. Nuk e merr sepse nuk ka struktura për të bërë administrimin e një aeroporti. Nuk ka ekspertizën dhe institucionet që mund ta bëjnë. Aeroporti do të vijojë të mbetet nën menaxhim privat. A do të ketë shtyrje të afatit apo garë të re, kjo do të shihet kur të vijë fundi i kontratës. Unë do ta shihja si lajm të mirë që grupet shqiptare fuqizohen dhe bëjnë transaksione të tilla. Deri dje nuk e dinim kush ishte pas menaxhimit të saj. Sot do të ketë një kompani të njohur”, tha ai.
Sipas Tomorrit, risi është fakti se Shqipëria del nga ndikimi i investimeve kineze, pasi ka qenë kërkesë nga SHBA-të për të stopuar investimet kineze në Shqipëri. “Pra ka edhe arsye gjeopolitike. Me gjasa, siguria e aeroportit do të kalojë në duart e amerikanëve. E shoh si një tjetër risi pozitive”, tha ai.



