Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar pasurinë e ish-deputetit Arben Ndoka. Mësohet se janë sekuestruar 300 mijë metër katror tokë në bregdet dhe apartamente.
Pronat ishin përfituar në mënyrë të paligjshme me anë të falsifikimit. Sipërfaqet ndodhen konkretisht në vendet e njohura si “Mali i Rrenzit”, Shëngjin, “Rana e Hedhun”, Laguna e Lezhës si dhe disa apartamente në plazh, sekuestrimet kanë një vlerë rreth 40 milion euro.
Ish-deputeti i PS-së u arrestua në kuadër të operacionit “Volvo 4”, si i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash.
Nga përgjimet telefonike të Prokurorisë, Arben Ndoka rezultonte i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash në zonën e Kunes dhe Rana e Hedhun në Shëngjin. Gjithçka u zbulua nga hetimet e prokurorisë për vëllain e Arben Ndokës, Gjevi Ndoka, si i lidhur me Avdylajt e Shijakut, të cilët akuzohen për trafik droge dhe porositës të heroinës së laboratorit të Hasit.
Prokurorët e çështjes te Krimet e Rënda janë Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, ndërsa sekuestrot janë dhënë me vendimin e gjyqtarit Bib Ndreca.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish deputetit socialist. Ai mohon t’i jetë sekuestruar pasuria.
Reagimi i tij vjen menjëherë pas lajmeve se Prokuroria e Krimeve të Rënda i kishte sekuestruar 300 mijë m katror tokë në bregdet dhe disa apartamente në plazhin e Shëngjinit.
Sipas Ndokës, Prokuroria mund të sekuestrojë edhe detin Adriatik, por pasurisë së tij nuk i është sekuestruar asnjë metër katror tokë.
“Shpesh here viteve te fundit qe pas angazhimit tim ne politike , akuzat ndaj meje hiperbolizohen. Nuk e di ku jane keto prona qe me paskan konfiskuar mua, kur une nuk kam asnje meter toke askund. Pse nuk e dokumentoni me fakte atehere meqenese me papergjegjshmerine me te madhe postoni lajme te tilla mediokre? Prokuroria mund te sekuestroje dhe detin Adriatik, por une nuk kam asnje meter toke te sekuestruar e as te pa sekuestruar. Ska shans as prokuroria, as portalet, as oficeret gjyqesor profesionist te konstatojne prona apo firma te falsifikuara qe kane te bejne me mua.Akuzat ndaj meje dhe arrestimi im dihet ku e ka bazen..!, shkruan Ndoka në rrjete sociale.



