Florian Zekja nga shoqata Pro-Export duke folur në “MCN Economy” vuri në dukje se në Shqipëri inspektoriatet kanë qenë vazhdimisht vende për punësimin e militantëve partiakë, pa meritokraci.
"Nëse duhet ta themi shqip inspektoriatet kanë qenë vende për qoka për militantet. Nuk është përdorur fare meritokracia. Një person ndoshta shumë i aftë, por në këtë sektor jo, falë kontributeve për partinë, ka bërë doganierin, inspektorin, tatimor. Nëse e ke një vend për të kënaqur shijet elektorale, do të thotë që këto inspektoriate i ke krijuar për t’u gjetur punë këto njerëzve. Ky është percpetimi im si qytetar dhe biznesmen. Për të bërë një inspektor duhen disa testime, një farë shkolle, një corriculum”.
Ai shtoi se duhet bërë një rregullim i ligjit dhe një krasitje e inspektoriateve të shumta.
"Ka një problematikë në çështjen e certifikimin. Nuk i mjafton Inspektoriatit të Punës certifikata ISO?! Ajo është patenta e jonë që në momentin që na ndalon polici, ne i tregojmë patentën, dhe aftësitë tonë. Duhet bërë një sistem tjetër inspektoriatesh, sepse është e pamundur që një vend me kaq aktivitet si Shqipëria të ketë 36 inspektoriate. Përse duhet të jenë gjithë këto polici, për një vend qëndrim të gabuar. Jam shumë dakord që duhet të bëhet njëherë rregullimi i ligjit dhe pastaj krasitja e inspektoriateve. Ka fitim në kohë, biznesi s'duhet të merret veç me inspektoriatet. Me pikëzim është shumë i interesuar shteti që të ketë një seleksionim të bizneseve. Nëse dikush ka 100 pikë mos shkojë aty, por të shkojë te ai që ka 50 pikë”.
Zekja vuri në dukje se vetëm në qytetin e Durrësit ka 20 mijë inspektime për 1000 biznese.



