
Gjergj Buxhuku, kreu i Konfindustrisë deklaroi në studion e emisionit “MCN Economy” se legjislacioni fiskal në vendin tonë ndryshon në mënyrë të shpejtë, të shpeshtë dhe shpesh herë në mënyrë të paarsyetuar.
Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Buxhuku tha se është detyrë e bizneseve dhe një gjë normale që kjo kategori të lobojë për ligje të caktuara, apo për taksa të veçanta, por është Kuvendi që pas analizave të të dhënave vendos nëse ndryshimet shkojnë në interes të publikut.
I ndalur tek taksa e hirrës së qumështit, Buxhuku tha se ka ndikim tek blegtoria, pasi dhe bizneset mund të shfrytëzojnë dhe të dëmtojnë prodhimin e qumështit natyral, në një kohë kur edhe mekanizmat e kontrollit nuk funksionojnë mirë.
Të diskutohet për taksat është gjë e mirë. Diskutimet duhen bërë paraprakisht, duhet të jenë të mbështetura në analiza, në të dhëna ekonomike, financiare, për të kuptuar se kush përfiton , cilat do jenë pasojat. Problemi është se çfarë diskutojnë, e trajtojnë në terma të përgjithshëm? A janë taksat që favorizojnë grupe klienteliste apo favorizojnë qytetarët?
Lobimet janë të lejueshme në një vend demokratik, lobime bëhen në Shqipëri dhe nuk po flasim për pagesa financiare që të marrin deputetët. Është normale që të behën dhe mirë të bëhen. Pse është Kuvendi? Çdo kategori biznesi çdo grup biznesi ka të drejtë të lobojë për të prodhuar ligje dhe taksa sipas interesit. Është detyra e Kuvendit të vlerësojë me votë pasi të ketë analizuar nëse ky propozim është dhe në interesin publik apo ngelet vetëm për grupin e interesit. Kuvendi në këtë moment me forcën e kartonin shprehet. Nëse propozimi shkon për interesin publik e miratoj. Këto gjëra bëhen duke pasur parasysh interesin publik. Kur diskutimi kthehet në diskutim pa shifra pa letra pa arsyetime ngelet në atë që thuhet lobim informal. Nuk e dimë a ka lobim informal. Kur marrim vesh nga mediat që është hedhur për diskutim dhe është shtyrë për 4 muaj, i bie të jetë bërë lobim.
Kur bëhet fjalë për taksën e hirrës, duhet të analizohet nga ekzekutivi, t’i paraqitet deputetëve, kemi një propozim për taksën e hirrës dhe shohim nëse e taksojmë dhe e zhveshim nga taksimi cili do të ketë ndikimi tek prodhuesi vendor, tek importet dhe humbjet dhe përfitimet. Ne dimë vetëm momentin që bëhet fjalë për një produkt të caktuar, por nuk dimë asnjë të dhënë tjetër. Deputetët e Kuvendit të jenë në hapësirë, një pjesë do e ngrenë kartonin se nuk dinë gjë, dhe një pjesë se nuk u merret parasysh.
Është sëmundje e vjetër. Legjislacioni fiskal ndryshon në mënyrë të shpejtë, të shpeshtë dhe shpesh herë të paarsyetuara, në kuptimin që këto ndryshime shkojnë dhe pse shkojnë në interesin publik, çfarë pasojash prodhojnë.
Bëhet fjalë mesa kemi dëgjuar për heqjen e taksës së hirrës së qumështit. Ka ndikim në një sektor delikat, tek blegtoria. Çfarë ka ndodhur, nëse shohim vendimmarrjen e vitit të kaluar për qumështin pluhur. Këto në themel në kushte kur sistemi i kontrollit në terren është i dobët, ndikon në uljen e prodhimit vendor. Bizneset shfrytëzojnë heqjen e taksave dhe i përdorin për prodhimin e bulmetit si aditiv dhe dëmtojnë prodhimin e qumështit. Nga një anë kemi mungesë kontrolli, nga ana tjetër lehtësimet fiskale kanë çuar në uljen e prodhimit të qumështit deri në masën 35-40 % për 10 vjet. I bëhet konkurrencë qumështit nga blegtoria, ky qumësht që prodhohet me mjete jo natyrale.



