
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi të zhvilluar me qytetarët në Durrës, deklaroi se gara e brendshme është një vlerë e kësaj partie politike.
Gjatë bashkëbisedimin me qytetarët, Basha ka renditur të gjitha arsyet që dërguan në humbjen e PD në zgjedhje, ndërsa shtoi se fitorja e PS në zgjedhje, u arrit përmes “dredhisë”.
Po ashtu ai theksoi se nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit si legjitime dhe përfaqësuese të vullnetit të shqiptarëve.
“Dy përgjigje të qarta dhe të prera për dy pyetje që shtrohen e rishtohen. Kryetari i Partisë Demokratike nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit si legjitime dhe përfaqësuese të vullnetit të shqiptarëve. Kryetari i Partisë Demokratike e hedh poshtë me neveri bashkëpunimin me autorin e kësaj masakre dhe i ftoj të gjithë shqiptarët të na bashkohen në të vetmen rrugë që ka një shoqëri e civilizuar, e në veçanti një shoqëri që është nisur për në destinin Europian.
Mos ta pranojmë rënien e demokracisë, mos ta pranojmë mbivendosjen e vullnetit të pakicës mbi pakicën mbi vullnetin e shumicës por të bëjmë me gjithë format dhe mënyrat betejën tonë deri në rikthimin e legjitimitetit, demokracisë dhe përmes tyre ndryshimit për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Basha.



