Regjisori Kastriot Çipi mesazhin për serbët e Veriut të Kosovës, tha se janë të përkëdhelurit e faktorit ndërkombëtar, madje shtoi se nuk paguajnë energji elektrike, por në vend të tyre e paguajnë shqiptarët e Kosovës. Në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv, Çipi deklaroi se jo të gjitha fajet janë të Albin Kurtit dhe se që pas 2008 pritej më shumë nga institucionet pas shpalljes së pavarësisë dhe se qeveritë shqiptare kanë qenë shumë të dobëta dhe se kanë lëshuar shumë terren në tavolinën e negociatave. Sipas tij, pikë së pari shqiptarët e Kosovës nuk duhet të uleshin me Aleksandar Vuçiç. “Pasi kanë shkuar gjërat siç kanë shkuar në 24 vjet, e gjithë klasa politike kosovare ka shumë pak gjasa të jetë bindëse me popullin e Kosovës. Ndaj është koha për një dialog kombëtar, ku populli i Kosovës duhet të vendosin prioritetin e tyre, hyrja në BE, apo ruajtja e territorit, hyrja në NATO, apo ruajtja e gjithë territorit. Ata duhet të vendosin nëse duan ta japin Veriun ose jo. Ne si shqiptarë këtej, na takon që ti mbështesim për çdo zgjedhje që do të bëjnë, se sa kanë vuajtur ata, nuk kemi vuajtur ne. Ne mund të themi opinionin tonë por vendimin duhet ta marrin shqiptarët e Kosovës, se ata e kanë pësuar në lëkurë represionin serb. Dhe nëse ata nuk duan ta falin Veriun, ne duhet t’i mbështesim. Shkëmbimi është një nga opsionet që diskutohet.” Çipi shtoi se qytetarët e Kosovës duhet të vendosin dhe duhet të shohin se cili është pazari i plotë apo siç e quajti ai “paketa”. Në vijim tha se presioni që po i ushtrohet Kosovës nga BE dhe SHBA është i paprecedentë, duke e shtyrë Kosovën drejt njohjes së pavarësisë së Veriut. Madje deklaroi se nuk ndodh askund që 5% të mbajë peng 95%.



