Donald Trump njofton një marrëveshje tregtare me Japoninë, e cila do të investojë 550 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të vendosë tarifa prej 15%.
“Është ndoshta marrëveshja më e rëndësishme e arritur ndonjëherë. Do të krijojë mijëra vende pune”, deklaron presidenti amerikan në llogarinë e tij në rrjetet sociale, Truth.
Vendi aziatik, investitori më i madh i huaj në Shtetet e Bashkuara, ishte ekspozuar ndaj tarifave prej 25%. Sektori i automobilave, i cili gjeneron 8% të vendeve të punës në Japoni, kishte tarifa prej 25%, të cilat tani do të ulen.
Edhe pse Trump nuk dha detaje specifike, ai tha se marrëveshja parashikon 550 miliardë dollarë investime në Shtetet e Bashkuara , të cilat do të marrin 90% të përfitimeve dhe krijimin e qindra mijëra vendeve të punës.
Marrëveshja e re tregtare SHBA-Japoni nuk përfshin shpenzimet e mbrojtjes, sqaroi negociatori japonez.
“Marrëveshja nuk përmban asgjë në lidhje me shpenzimet e mbrojtjes”, u tha Ryosei Akazawa gazetarëve.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i kishte bërë thirrje Japonisë, një aleate e ngushtë e SHBA-së, të rriste shpenzimet e saj ushtarake dhe disa spekuluan se kjo kërkesë do të përfshihej në një marrëveshje më të gjerë tregtare.



