Analisti Ergys Mërtiri duke folur në “Mcn Informacion” e konsideroi një nismë të rrezikshme, që shkel Kushtetutën dhe sovranitetin e vendit, atë për shtetin bektashi. Mërtiri beson se Rama mund të jetë tërhequr nga kjo ide, duke parë që reagimi ishte i madh. Mërtiri shton që një nga arsyet kryesore pse Rama mund ta ketë dashur shtetin bektashi, është pastrimi i parave përmes bankave që mund të operojnë aty.

“S’më duket fare serioze si nismë. Nuk është hera e parë, sepse kryeministri ynë shpesh ka vegime dhe haluçionacione të tilla. Ky më duket humor me zarar, nëse është një nismë që ka plan konkret. Më duket shumë problematike. Unë besoj thellë-thellë që ai s’e pasur shumë të qartë kur e ka thënë. Kam idenë që kryeministri është tërhequr. Ose po punon në rrogoz. Por kam idenë që është tërhequr pasi reagimi ka qenë i madh. Kjo shkel Kushtetutën në 3-4 pika. Shkel sovranitetin dhe territorialitetin e vendit, që është diçka e shenjtë. Shkel Kushtetutën edhe për laicitetin dhe baraslargimin e shtetit nga fetë. Është një shtet që ndërton një shtet fetar, me pretendim teorkratik. Kryeministri merr edhe rolin e teologut, duke thënë se një fe është më e mirë apo më tolerante se tjera. As bektashizmit s’i shërben kjo gjë. Krijimi i një territori të pavarur brenda shtetit shqiptar, lë vend për abuzime nga më të rrezikshmet, aty mund të ketë banka të pastrimit të parave, etj., kjo është e rrezikshme. Kjo është një nga arsyet kryesore pse ai do ta bëjë këtë gjë”.



