Gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, deklaratën e ministres së Energjisë, Belinda Balluku e cila foli për diferencim të çmimit të energjisë elektrike, për të gjithë ata që konsumojnë mbi 700 kilovat në orë, tha se nuk ka ende një çmim të përcaktuar.
Për numrin e abonentëve që konsumojnë mbi këtë fashë, ai deklaroi se është një shifër variabël sepse lëviz në muajt si shtatori që ka konsum më të ulët energjie, ku ka më pak familje me konsum mbi 700 kilovat dhe në dimër, janë shumë më shumë.
Në nëntor, dhjetor, janar dhe shkurt, janë mbi 100 mijë familje që e kalojnë fashën e konsumit prej 700 kilovat, në muajt e ngrohtë rreth 20 mijë familje. Mesatarisht janë 50 mijë familje ose 5% e totalit që konsumojnë mbi 700 kilovat orë dhe që preken nga vendimi i qeverisë. Çmimi i propozuar nuk është bërë publik. Balluku tha se s’ka vendim konkret për energjinë mbi fashën 700 kilovat në orë. Është një masë që ka dy qëllime të sjellë ca para shtesë për kompanitë publike të sektorit të energjisë dhe të dekurajojë konsumin e energjisë në popullatë, se familjet reagojnë ndaj rritjes së çmimit. Përballë çmimit për fashën mbi 700 kilovat në orë, shumë nga familje do ulin përdorimin për të mos e kaluar këtë fashë. Ky është një kthim pas i qeverisë! Nëse e kujtoni në vitin 2013 kur qeveria erdhi në pushtet, Shqipëria kishte sistem tarifimi me dy fasha deri 300 kilovat tarifim i ulët, mbi këtë fashë çmim më i lartë. Qeveria e hoqi, me argumentin se ulen humbjet në energji elektrike dhe tani rikthen tarifimin me dy fasha.
Sipas tij, debati i subvencionimit është evaziv, duke saktësuar se subvencioni është ku një mall apo produkt shitet nën kosto, por se në Shqipëri çështja e kostos së energjisë është e debatueshme.
Kemi kosto të lartë për shkak të rritjes së çmimit apo keqmenaxhimit? Ky është debati kryesor në Shqipëri. Po subvencionohet e gjithë tarifa për familjet dhe biznesin e vogël, mënyra si subvencionohet ka dy rrugë, dhënia e parave drejtpërdrejtë për kompanitë e energjisë për të siguruar furnizimin e popullatës. Qeveria ka dhënë 200 milionë dollarë për të blerë energji. Ka dhe një mënyrë tjetër për përballimin e kostos, rritja e borxheve të kompanive energjetike. OSHEE u rrëzua financiarisht për shkak të rritjes së çmimeve që ndodhi vitin e kaluar, kjo e detyroi qeverinë që ta kalonte detyrimin e furnizimit të popullatës me energji te KESH. Tani do përkeqësohet dhe bilanci i KESH, tani kompanitë e energjisë kanë hyrë në sistem borxhesh, që është dështim i qeverisë.
I pyetur nëse qeveria do të vijojë të mbrojë biznesin, Tomorri tha se situata e furnizimit me energji për bizneset e mëdha është përkeqësuar, jo vetëm në rritjen e çmimit.
Ai tha se nëse dje paguanin me çmim të rregulluar nga Enti Rregullator i Energjisë, sot paguajnë me një çmim tjetër sipas një formule që mban parasysh koston e blerjes së energjisë nga KESH dhe OSHEE.
Sot vazhdojnë ta blejnë te OSHEE, me një çmim që vazhdon rritet sipas tregjeve kombëtare. Nuk dihet se sa kjo situatë do zgjasë, një ditë është e qartë se do nxirren nga rrjeti. Tregu shqiptar i energjisë për shkak të reformës, nuk mund të furnizojë energji në mënyrë private, të shkëputura nga sistemi publik. Rritja e kostove me të cilat po përballen do të përkthehet edhe në rritje kostosh për mallrat dhe të mirat që prodhojnë apo shërbejnë. Mund të çoj në përkeqësim financiar apo falimentim të bizneseve.
Gazetari Tomorri e përjashton mundësinë e privatizimit të furnizuesve me energji, duke kujtuar se Shqipëria e tentoi njëherë privatizimin e OSHEE në vitin 2009, kur u bë privatizimi u ble nga CEZ dhe rezultoi eksperiencë katastrofike, ku koston e paguan për një kohë të gjatë qytetarët.
Privatizimi i sistemeve të energjisë është një rrugë nga e cila Shqipëria duhet të largohet edhe për shumë vite të tjera. Në vende me nivel kaq të lartë korrupsioni, sjellin më shumë kosto se sa e përmirësojnë situatën, e shoh si opsion të rrezikshëm që nuk duhet provuar. Sistemi energjik duhet të mbetet publik. Qeveria duhet të bëjë investime efiçente dhe të mos i shpenzojë paratë në tendera ku abuzohet. Kjo do ishte mjaftueshëm që të kishim një sistem të shëndetshëm energjetik. Ka abuzim me fondet në sektor, keqpërdorim i energjisë elektrike, kjo është arsyeja pse kemi ardhur në këtë situatë. Nuk është privatizimi zgjidhja pse ndodhemi në këtë situatë.



