
E keqja banale e kombit jeni ju. E keqja banale e kohës jeni ju. Ky parlament ka një Komision Ligjesh, këtë Komision Ligjesh e kryeson një ish-ministër i juaj.
Në garën e Avokatit të Popullit, një ditë ky mbledh komisionin dhe vendos në mënyrë të diskutueshme, që për kandidatët për Avokat të Popullit do ketë deputeti të drejtë vetëm për një firmë. Ky është një vendim i një komisioni, që ligji dhe Kushtetuta e ngarkon për shqyrtimin dhe për organizimin e procedurës së votimit të Avokatit të Popullit. Ne zbatuam vendimin e Komisionit të Ligjeve.
Kështu tha kryedemokrati Sali Berisha në seancën e sotme parlamentare, ku diskutohet për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Ai shtoi se në përputhje me vendimin e Komisionit të Ligjeve, u bë shkresa dhe u tërhoqën të gjitha firmat për kandidaturën e Endri Shabanit.
Në vijim deklaroi, deputeti mund të vendosë një firmë për një kandidat dhe për të tjerë mund të vendosë shumë, por vendimi i Komisionit të Ligjeve ishte i qartë, nuk pranohen sepse janë vendosur firma dhe i njëjti deputet ka firmosur disa kandidatë.
Tani ju, meqenëse duhej patjetër që ai zoti Këlliçi e quajti Lepuri i Surrelit, por unë do ta quaj opozita që duam, kishte marrë firma, tani përmbysni vendimin. Po përmbysni vendimin e Komisionit të Ligjeve, vendimin tuaj, shkelmoni mbi veten tuaj, vetëm e vetëm që të grabisni Avokatin e Popullit. Ne kemi qenë luajalë me ligjin.
Komisioni i Ligjeve vendosi që nuk mund të ketë më shumë se një të drejtë për një kandidat çdo deputet. Në respekt të saj, ne tërhoqëm firmat. Dhe ju vazhdoni tani, sepse ju e dini se Lepuri i Surrelit nuk merr dot asnjë firmë. Jo, nuk i merr dot. Dhe shikoni se ç’bëni, i bëni edhe atij kukumalen në qafë për të realizuar një akt të turpshëm. Bëjeni, por është një gjë shumë e ulët.



