Statistikat tregojnë se brenda një viti fenomeni i kultivimit të kanabisit në ambiente shtëpie është rritur ndjeshëm. Në 12 muaj janë identifikuar 9 të tilla, ndërsa janë proceduar 37 persona që i administrojnë.
Lidhur me këtë në MCN Live gazetari Sokol Bregu u shpreh se policia duhet të hetojë pse është rritur konsumi i energjisë elektrike sepse ajo përdoret për shtëpitë e barit ose prodhimin e kriptomonedhave.
Ai tha se shtëpitë e barit janë lehtësisht të identifikueshme dhe se sipas tij drejtorët e OSHEE-së janë në dijeni për këto shtëpi bari.
Ne nuk mund ta dimë se sa shtëpi bari ka dhe a po rritet sepse qeveria nuk pranon të bëhet një hetim, por dihet se Shqipërisë i është rritur ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike, paguhet normalisht, por polica nuk bënë një hetim të detajuar nëse ky konsum i energjisë elektrike që është rritur lidhet me shtëpitë e barit apo prodhimin e kriptomonedhave.
Në këtë pikë nuk di të them se kush dominon prodhimi i kriptomonedhave apo shtëpitë e barit. Kuptoj mirë që në qytetet të largëta të vendit bëhet një luftë e madhe se kush do jetë drejtori i OSHEE sepse ai di fare mirë se kush po prodhon kanabis artificial apo kriptomonedhën sepse i ka të gjithë abonentët në dokumente, por duke qenë se jemi në fushatë elektorale tani të gjithë duhet të bëjnë ca lekë.
Shtëpitë e barit janë lehtësisht të identifikueshme, përmes tyre fitohet shumë. Në çdo rast policia po të dojë i kap. SPAK po të dojë i çon të gjithë në burg. Po shkatërrohet e ardhmja e vendit nga prodhuesit e lëndëve narkotike, po degdiset në humnerën më të madhe.
Janë bërë të gjithë bashkë, trafikantë, polici dhe drejtorët e OSHEE-së, ndërsa qeveria bënë sikur është e ashpër ndaj trafikut të drogës.



