Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti, thotë se tek ne ka humbur shpresa se mund të bëhemi më mirë dhe të kemi një treg konkurues.
Duke folur për MCN Live, ai deklaroi se një student mund të shpenzojë 100 mijë euro në studime jashtë vendit dhe kur kthehet në Shqipëri,“katandiset” me një rrogë 700 euro.
Sipas tij, ka paqëndrueshmëri të theksuar të jetesës, ku nënvizoi se në Tiranë jetesa e një studenti tejkalon jetesën e një studenti në Itali, duke llogaritur qiranë, tarifat dhe librat.
Shifra e maturantëve që duan të ikin jashtë, mund të mos jetë 11 mijë, por nuk është as 3 mijë, është më shumë. Di plot raste që ikin nga ato që njihen vite të ndërmjetme, se nuk janë të kënaqur nga cilësia e mësimdhënies.
Të rinjtë nuk e gjëjnë më veten në Shqipëri dhe janë gati të largohen nga sytë këmbët. Dhe unë që shkoj në universitet dhe jam pedagog, kur i pyes se cila është dëshira e tyre, thonë ‘të ikim jashtë’.
Ndërsa Ministria e Arsimit ka propozuar disa ndryshime në Maturën Shtetërore për vitin e ardhshëm dhe pika e parë thotë se është ai i pilotimit të testimit elektronik, i cili ka lidhje me pranimin në programet universitare të studimit, ato të cilat janë shumë të kërkuara si ai i mjekësisë së përgjithshme apo stomatologji, Mehmeti foli për pamundësi në realizim.
Patëm një përpjekje për të bërë disa përzgjedhje elektronike, meraku ka qenë se testet në grupe të veçanta duhet të ishin të së njëjtës vështirësi, se diskriminojnë maturantët.
Vërtetë është çështje teknike, por është shumë e rëndësishme se ti i bie në qafë vlerësimit. Në vitin 2011 bllokuam 5600 teste, 3 mijë të kopjuara, në Burrel, Tepelenë, Fushë Krujë.
Janë të verifikueshëm, 57 mësues u pezulluan, pjesa tjetër u lëvizën dhe 2800 nxënësve iu ul nota, pa bërë një analizë, s’mund të flasim. Nuk ka analiza.
Duhet të përpiqemi të mbajmë përgjegjësi dhe të bëjmë një test shumë të mirë të Maturës Shtetërore dhe administrim të rregullt.
Një mësues administron dhe menaxhon një klasë me 35 veta, për të mbuluar dështimet tona nxjerrim një pseudo-reformë, e cila është e parealizueshme, nuk kemi mundësi.
Nuk mund të ndryshohet Matura pa bërë analizë.



