
Opozita ka dorëzuar mbrëmë në KQZ kërkesën për koalicion në zgjedhjet e 14 Majit. Koalicioni do të mbajë emrin “Bashkë Fitojmë” dhe pjesë e saj janë Partia Demokratike, Partia e Lirisë, Partia Demokristiane dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.
Faktin se si do të konsolidohet kjo nismë, deputeti i PD-së, Edmond Spaho, në një intervistë për “MCN live” e konsideron si një hap drejt fitores në shumicën e bashkive në vend.
Pos kësaj, Spaho vlerëson se me këtë nismë do të hidhen hapat drejt fitores edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që janë pas dy vitesh.
Së pari dua të them se ka pasur një përpjekje intensive prej gati dy vitesh nga qeveria dhe mbështetës të saj që të pengojnë regjistrimin e PD në këto zgjedhje.
Ju e dini historinë KAS që me vendimin që ka marrë nuk lejon regjistrimin, por kjo nuk është se pengon mundësinë tonë ëpr të marrë pjesë në zgjedhje.
Dje është regjistruar koalicioni “Bashkë fitojmë”, ku përfshihet parti opozitare parlamentare dhe joparlamentare, do të dalim me listën e kandidatëve për kryetar bashkie të evidentuar në Primare dhe me listën e përbashkët për anëtar të Këshillave Bashkiak në të gjitha bashkitë e vendit.
Përmes koalicionit synojmë të fitojmë shumicën e bashkive të vendit dhe të hedhim një hap të konsiderueshëm drejt fitimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që janë pas dy vitesh.
Por lidhur me faktin se nëse KAS regjistron PD e Alibeajt, deputeti Spaho, thotë se nuk pret ndonjë rezultat pozitiv, meqë sipas tij i gjithë procesi kundër PD po luhet nën influencën politike të mazhorancës.
Sipas tij grupimi Alibeaj është në rrugën e të shërbyerit të Ramës porse do të dështojnë sic humbën edhe në zgjedhjet e 6 marsit të vitit të kaluar.
Nuk është se pres ndonjë rezultat pozitiv pasi të gjitha hallkat tjera të këtij procesi e kanë treguar se janë nën influencën politike të mazhorancë.
Mjafton të kujtosh se pas një viti zvarritet marrja në gjykim nga Gjykata, ose rasti kur kancelari i Gjykatës së Tiranës nuk pranoj të regjistroj vendimin gjyqësor, kështu që edhe në rastin e KAS, si PD, synojmë të kalojmë të gjitha hallkat e procesit në mënyrë që të ankimohemi edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare të sistemit gjyqësor.
Kurse për ankimimin tjetër është pjesë e lojës që luhet bashkë me Edi Ramën dhe mazhornacën që të regjistrojnë në grup ose kandidat paralel me kandidatët e PD dhe mundësisht të mbledhin sa më shumë vota në mënyrë që kandidatët e mazhorancës ta kenë sa më të lehtë fitoren dhe të konsolidohet pushteti i Ramës, pra, thjesht janë rrugën në procesit e të shërbyerit e Ramës.
Sikurse kanë dështuar deri tani, sikurse kanë dështuar në zgjedhjet e 6 marsit, do të dështojnë edhe këtë radhë.



