Ish-kandidati për drejtimin e PD-së Ibsen Elezi tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se në këtë moment nuk ekziston fryma për protesta nga Berisha dhe Basha, duke i konsideruar deklaratat e tyre si “artikulime politike”. Elezi tha se Berisha në formatin e tij nuk e njeh aktin e dorëheqjes. Po ashtu ai vuri në dukje se PD nuk është një parti që mund ta rigjenerojë hapësirën që lë ikja e kryetarit, pasi nuk ka institucione, edhe për faj të Berishës.
Lidhur me protestat e paralajmëruara, Elezi u shpreh:
Protesta në themelin e vet ka frymën e reagimit ndaj një keqqeverisje. Besoj që kjo frymë pas këtyre zgjedhjeve nuk ekziston. Të flasësh për protesta në këtë moment nga Basha dhe Berisha është thjesht një artikulim politik, asgjë më shumë. Ajo që është e nevojshme dhe ka qenë e nevojshme edhe më parë, është forcimi i PD. Basha bëri të kundërtën, e shkatërroi institucionalisht PD-në në 8 vjet, me ndihmën e ngushtë të Berishës, në gjithë këtë maskaradë të vrasjes institucionale të saj. U shfaq një fenomen i manipulimit të hapur të proceseve, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Mund të ketë pasur ndikime para 2013-ës. Të njëjtën metodë ndoqi edhe Berisha pas një kontrate që fortë që lidhi me demokratët për ridemokratizimin e kësaj partie dhe rivendosjen në themelet e vitit 91’, gjë e cila nuk ndodhi. Ajo që bëri Berisha ishte vetëm një mashtrim. S’kishte forcën e brendshme për ta bërë këtë rithemelimin. Dështimi i tij ishte sepse theu kontratën me demokratët e 11 dhjetorit. Asnjëri s’e ka forcën për ta ngritur këtë parti dhe për ta kthyer në një parti që krijon frymë uniteti brenda dhe frymë besimi në opinionin publik”.
I pyetur a duhet të dorëhiqet Berisha, Elezi thotë:
Jo, z.Berisha në formatin dhe staturën e tij ka treguar se njeh si akt dorëheqjen. Në 2013 ishte pas 8 vitesh qeverisje, s’ka pasur zgjidhje tjetër. Vinte pas një periudhë 8-vjecare qeverisëse dhe pas një humbje të thellë. Të mendosh se z.Berisha jep dorëheqje në këtë moment, që s’ia detyron nga ana statutore por vetëm morale është absurditet. Kur largohet një kryetar situata mund të vazhdojë kur ka institucione. PD nuk është një parti që mund të rigjenerojë hapësirën që lë Berisha. Prandaj shumë nga ithtarët e Berishës e mendojnë largimin e tij si goditje të madhe për PD, dhe është, por është faji i Berishës që në këto dy vite s’tregoi që duhet të ndërtonte institucione brenda PD. Vakumi i z.Berishës do plotësohej nëse dikush nxjerr një model të ri dhe fiton përballë z.Berisha. Në kushte normale Këlliçi do ta zëvendësonte, por s’do ndalonte rënia në pikatë e PD. Është gara në kushte demokratike që e zgjidh situatën, jo largimi dhe zëvendësimi i një personi. Figura që e zëvendëson Berishën nuk gjendet nga kompromisi. Duhet të jetë figurë e fortë, potenciale, lideri, që e çon përpara. Kur është lënë garë ndonjëherë në PD. Si e merr vesh ti?!”.
Ai i përjashton Bardhin dhe Tabakun si alternativa lidershipi, duke u shprehur se ata nuk meritojnë as të jenë deputetë.
Këto janë njerëz që s’kanë fare identitet, s’kanë shtyllë kurrizore në karrierën e tyre, dhe të qenit politikan. S’e meritojnë të jenë deputetë, jo më liderë opozite. Janë grup kriminale në vetvete, po i shkaktojnë një dëm shumë të madh shoqërisë, vrasjen e opozitës, që është me pasoja për të gjithë kombin. Njerëz të qorruar që s’dinë çfarë bëjnë!”
Elezi thekson se e vetmja formë është lejimi i fraksioneve brenda PD-së.
Kjo është e vetmja formë. Edhe Berisha dhe Basha mund të ekzistojnë si fraksione brenda PD-së. Por frika e madhe e tyre është nëse hapin lojën e fraksioneve dhe krijimi i një fraksioni të tretë që do t’i detyronte të respektonin rregullat. Në garën e parë do të verifikonin që Berisha është manorancë dhe Basha pothuajse s’ekziston. Shumica e anëtarëve të PD, dhe atyre që janë larguar, sepse një pjesë e mirë janë larguar, sepse nuk e durojnë dot këtë farsë politike, kanë gjetur rrugën e largimit dhe bojkotit elektoral. A ka kapacitete një grup i tretë? Ka, por është shumë e vështirë për t’u grupuar me pikëpamje të qarta, sepse këta ushtrojnë influencën e tyre që kjo të mos ndodhë. Unë e kam tentuar në dy raste dhe kam dështuar, sepse njerëzit që bëhen pjesë e grupit manipulohen ose shantazhohen. Për të realizuar një garë të ndershme është e pamundur kur njerëzit që kanë në dorë institucionet, përfshi Berishën, nuk e kanë vullnetin. Unë në garën me Berishën evidentova me dhjetëra shkelje themelore dhe dytësore. Këto fenomene ishin edhe në kohën e Bashës. Themeli i luftës është institucionalizimi. Berisha, Basha, Rama, Veliaj, e gjithë kasta politike, janë të ngjizur në formimin e tyre me manipulimin e proceseve. Rama fiton zgjedhjet sepse ka mekanizëm gjigant. Vetëm detyrimi i një grupimi politik i detyron këta njerëz të respektojnë rregullat".
I pyetur a mund t’ia lërë Berisha-Metës drejtimin e selisë blu, Elezi tha:
Dëshira e Berishës s’është dëshira e Zotit në tokë. Këtë s’e duan 90 për qind e demokratëve, 10 edhe mund ta duan, hajt për hatër po themi 20 për qind, që mund të jenë pragmatistë, por 80 për qind s’e duan. Kjo do tregonte atë që Berisha po bën, shkatërrimin e PD, me sa duket si gjënë e fundit që mund të bënte në politikë”.



