
Eksperti i arsimit parauniversitar, Ndriçim Mehmeti, duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV e konsideroi një vendim në kundërshtim të hapur me ligjin atë të ministres Kushi, që të diplomuarit në një fushë të ngjashme me mësuesinë mund ta ushtrojnë këtë profesion pas një formimi psiko-pedagogjik.
Mehmeti tha se bëhet fjalë për një vendim ministri dhe jo një VKM, dhe bie ndesh me profesionet e rregulluara. Mehmeti u shpreh se “e kemi bërë ligjin copë”, duke ironizuar se “me arnime si të kohës së Enverit në fund nuk do dimë ku është copa origjinale e pantallonit”.
Zonat e thella, zonat periferike, kanë mangësi për mësues, sepse ata që vijnë për mësuesi rrinë në Tiranë dhe nuk kthehen në vendin e tyre. Edhe qytete si Saranda dhe Pogradeci po braktisen, dhe atje ka mangësi. Plaga e thellë e klasave kolektive sa vjen edhe thellohet. Problematike është si rekrutohen mësuesit dhe nga ana tjetër s’kemi një studim se sa mësues na duhen, ku janë vendet, dhe si do t’i joshim që të shkojnë. Ndërmerren reforma që mësuesi që shkon në zonat rurale duhet të marrë dietë, pagesë shtesë, përkundrazi s’kemi bërë asgjë.
Vendimi i fundit më duket i çuditshëm, sepse është në kundërshtim të hapur me ligjin. Ose do ndryshoje ligjin çka sillte pasoja zinxhir, në aspektin që ka njerëz që kanë mbaruar Master shkencor...Këtu flitet për 30 kredite, nuk e di ç’kurs është ky me 30 kredite. Bie në kundërshtim me ligjin dhe profesionet e rregulluara. Si do marrësh licensën e mësuesisë me një kurs me 30 kredite?! E keqja është që s’është VKM, është urdhër ministri. Urdhri i ministrit është akt nënligjor. Urdhri i ministrit nuk duhet të shkeli ligjin! Çfarë do t’u thuash ti studentëve që janë në Arte, tani kujtohesh dhe u thua bëni 30 kredite pedagogji, ndërkohë që ai tani po bën master shkencor, po harxhon lekët. Nesër do jetë e barazvelfshme diploma e atij me timen me 30 kredite?! Ti s’ke trajnuar mësuesët që ke në sistem, nga të lindi kjo ide?!
Duhet bërë studimi, duhen parë sa mësues janë në pritje. 30 kredite s’është master, është një gjysmë masteri, një semestër është. E bëre këtë, pastaj do bësh praktikë profesionale, pastaj licensë, dhe pastaj do futesh te Portali për Shqipërinë! Ndërkohë që ne po na mbyllen degët, jo vetëm shkencore, por edhe shoqërore. Ne s’kemi mësues të Gjuhës Shqipe për shkollën 9-vjeçare! Ne po arnojmë, e kam frikë se do jetë si në kohën e Enverit, se ku është copa origjinale e pantallonit që kemi. Nuk është serioze. E kemi bërë ligjin copë”.



