Partia Demokratike "kërcënon" se do të publikojë javën e ardhshme dokumente të tjera të cilat vërtetojnë sipas selisë blu akuzat e ngritura ndaj kryetarit të Bashkisë Vau Dejës Mark Babani. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi paralajmëron se do të publikojë dosjen e plotë të Mark Babanit, kryetarit të bashkisë së Vau i Dejës të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.
"Edhe Valdrin Pjetri fillimisht e mohoi por më pas u detyrua të pranonte ajo që garantoj është që PD në momentin që bën denoncim publik ka arritur të sigurojë të gjithë informacionin e nevojshëm që vërteton denoncimin që bën. Nëse ai hesht siç ka heshtur gjatë orëve të pasdites unë do i përgjigjem me dokumentacionin përkatës në ditët në vijim. Nga e hëna nëse Babani nuk do të flasë se çfarë i kujton data 4 prill 1994, ne do t'ia bejmë publike shqiptarëve këtë dhe dosjen e plotë që disponojmë për të".
Sa i takon vijimësisë së aksionit opozitar, Bardhi informoi që javën e ardhshme pritet të mblidhen strukturat e partisë, dhe se sipas tij, pritet të vendoset për strategjinë e mëtejme. Bardhi u shpreh i bindur se protestat do të vijojnë duke kërkuar rrëzimin e qeverisë Rama.



