Shkolla në Shqipëri do të nisë në 27 shtator dhe jo në 13 shtator sikurse ishte vendosur me herët.
Njoftimi u dha nga ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Evis Kushi.
Por shkollat do të jenë të hapura që nga data 1 shtator, pasi Ministria ka vendosur që kohëzgjatrja e mësimit plotësues të zgjatet me dy javë të tjera, për t’u ardhur në ndihmë nxënësve të jenë më të përgatitur, duke marrë parasysh se vitin e kaluar mësimi është bërë online në pjesën më të madhe të kohës.
Gjithashtu janë shtyrë edhe datat e përfundimit të shkollave. Për arsimin bazë nga klasa 1-9 mbyllja e vitit shkollor shtyhet nga data 8 në 17 qershor 2022. Për arsimin e mesëm, klasat 10 dhe 11, shtyhet nga data 15 në 24 qershor 2022.
Për maturantët, mbyllja e vitit shkollor shtyhet nga data 1 në 8 qershor 2022.
“Viti i ri shkollor 2021-2022, do të nisë në datën 27 shtator dhe do të mbyllet nga data 8 deri në 17 qershor 2022. Të gjitha institucionet arsimore do të jenë të hapura që në datën 1 shtator për të zhvilluar mësim plotësues për dy javë me radhe, ndërsa viti i ri shkollor do të nisë dy javë me vonë, pra në datën 27. Mësuesit dhe stafet arsimore do të jenë me kohë të plotë në punë që nga data 1 shtator. Nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në shkollë gjatë dy javëve të mësimit plotësues. Pas publikimit të udhëzimit morëm ankesa për kohën e paktë në dispozicion. Shtatë ditë janë të pamjaftueshme për shkak të mungesave vitin e kaluar shkollor, kështu që vendosëm ta shtyjmë në 14 ditë afatin e mësimit plotësues", deklaroi Evis Kushi.



