
Të shtëna me armë zjarri në Kopenhagen të Danimarkës në një qendër tregtare, ku tre persona kanë mbetur të vrarë.
Ngjarja e rëndë u shënua pasditen e së dielës në qendrën tregtare “Field’s”, ku krahas viktimave u shënuan edhe disa të plagosur, tre prej tyre në gjendje të rëndë.
Si autor të dyshuar policia arrestoi një 22-vjeçar danez, ku bazuar në të dhënat paraprake dyshohet se ka vepruar i vetëm.
Policia rrethoi të gjithë zonën në ishullin Amager, ku ndodhej qendra tregtare. Bazuar në dëshmitë e të pranishmëve, raportohet për së paku 15 të shtëna.
Situata përreth qendrës ishte kaotike për një kohë të gjatë, ndërkohë që për shkak të ngjarjes u anulua edhe koncerti i këngëtarit britanik Harry Styles, i cili do të performonte në Royal Arena, jo shumë larg vendit të ngjarjes.
Autoritetet vendase kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet që çuan në ngjarjen e rëndë.



