Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, në konferencën për media ka folur pas takimin që ka zhvilluar sot me përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak. Ai ka thënë se vizita e Lajçak ka ndodhur në momentit e duhur për të bërë vlerësim për procesin e dialogut.Hoti ka thënë se Asociacioni është temë e mbyllur.
“Ky s’është proces i lehtë, ka tema të vështira siç është Asociacioni dhe tema të tjera, por të gjithave do t’u qasemi bazuar në parime të qarta që janë bërë të ditura para Kuvendit e qytetarëve. Pas dy viteve të bllokadës së dialogut dhe pamundësisë për të quar përpara procesi e marrëdhënieve të dy vendeve tona. Është arrit që të ulemi e të diskutohet për marrëveshjen përfundimtare dhe normalizim të marrëdhënieve. Gjatë këtij procesi duhet të merremi me tema të vështira, prandaj jemi këtu. Asociacioni është temë e mbyllur më marrëveshjen e vitit 2013 që është ratifikuar në Kuvend, e më pas është marrëveshja e parimeve në vitin 2015 dhe është opsioni i Gjykatës Kushtetuese me këtë çështje. Kemi të gjitha garancitë dhe mbështetjen e partnerëve tanë që ky Asociacioni s’do të ketë kompetenca ekzekutive”, tha Hoti.
Ai thotë se Qeveria nuk është nën presion, dhe nuk pranon asnjë lloj kërcënimi.
“Nuk është Qeveri që pranon kërcënime nga askush. Kemi marrëveshje koalicioni me gjithë partnerët përfshirë edhe Listën Serbe. Për aq kohë sa i përmbahemi marrëveshjeve punojmë bashkë. Kjo është ajo që mund të them për këtë”, ka thënë Hoti.
Shefi i Qeverisë ka deklaruar se është dakorduar edhe me partnerët ndërkombëtarë që Kosova ulet në tavolinën e bisedimeve vetëm për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke.
“Kosova për herë të parë ka qasje konstruktive në dialog, dhe nuk jemi duke e bllokuar atë. Pas dy viteve të bllokadës kemi hyrë në këtë proces dhe është arritur dakordësi edhe me partnerët ndërkombëtarë që të ulemi në tavolinën e bisedimeve vetëm për marrëveshje përfundimtare për normalizm të plotë të marrëdhënieve dhe njohje reciproke”, ka thënë ai.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur më pas sot në takim emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Lajçak nesër pritet të takojë presidentin Hashim Thaçi dhe krerët e partive politike në Kosovë.



