Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut kanë nisur stërvitjet e përbashkëta ushtarake verore. Kështu konfirmoi një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Seul.
Stërvitjet e këtij viti janë më të gjerat në pesë vitet e fundit, pas rifillimit të tensioneve me Korenë e Veriut.
SHBA mbajnë 28.500 trupa në Korenë e Jugut si një masë parandaluese kundër kërcënimeve të Phenianit. Stërvitjet e përbashkëta, do të përfundojnë më 1 shtator.
Detajet e operacionit nuk janë bërë të ditura, por stërvitjet e kaluara kanë përfshirë dhjetëra mijëra trupa dhe një numër të madh anijesh luftarake, avionësh dhe tanke.
Ato thuhet se do të përfshijnë sulme të përbashkëta të simuluara, përforcime të vijës së parë të armëve dhe karburantit dhe heqjen e armëve të shkatërrimit në masë.
Të dy ushtritë thanë në një deklaratë të përbashkët se stërvitjet ishin një përgjigje ndaj një volumi dhe shkalle të rritur të testeve të raketave nga Koreja e Veriut, raporton Reuters.
Stërvitjet e vitit 2019 u anuluan pas samitit të parë të Donald Trump me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, në Singapor.
Lëvizja e Trump u pa si një përpjekje për të bindur Kim të braktiste programin e tij të armëve bërthamore.



