Kryeministri Edi Rama, tha nga Asambleja e PS, këtë të shtunë se rritja e çmimit të naftës po monitorohet dhe do të ndërhyhet përmes bordit të transparencës dhe uljes së akcizës nëse kalon një nivel i caktuar, për të lehtësuar ndikimin tek qytetarët.
Çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por parashikohet të rritet edhe më tutje, për këtë ne kemi vendosur në lëvizje bordin e transparencës, çka e kemi përdorur siç e mbani mend edhe më parë, dhe po ashtu kemi marrë edhe një vendim që për çdo ditë kur çmimi do të kërcejë mbi tavanin e 220 lekëve do ketë menjëherë ulje me 20% të akcizës së naftës.
Deri tani nuk shikoj impakt në çmime të tjera, por fatmirësisht jemi në kushtet kur kemi një borxh dhe një deficit jo vetëm nën kontroll, por edhe goxha atë nivel që na mundëson që në momente të tilla të kemi edhe një hapësirë në dispozicion për të mos lënë vetëm askënd duke pasur parasysh në radhë të parë ata që kanë më shumë nevojë.



