
Ashtu si çdo të enjte Kuvendi mblidhet ditën e sotme në seancën e radhës plenare. Bazuar në rendin e ditës, gjatë seancës do të prezantohet projektrezolutë “Për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë”.
Koha në dispozicion është 90 minuta, e ndarë në mënyrë përpjestimore ndërmjet grupeve sipas përfaqësimit të tyre në Kuvend.
Në vijim deputeti demkorat, Xhelal Mziu ka kërkuar interpelancë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, lidhur me ecurinë e punimeve në Rrugën e Arbrit.
Ndërkohë deputeti socialist, Erion Braçe ka kërkuar dy interpelanca të ndryshme me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca.
E para ka të bëjë me pagesat si mbështetje ndaj fermerëve sipas çdo programi ndërsa e dyta mbi kontratat e dhënies së tokës me qira ne territorin e Bashkisë Divjake dhe Bashkisë Lushnje me qellim aktivitetin bujqësor dhe blegtoral.
Në vijim të rendit të ditës do të prezantohet raporti i veprimtarisë vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2021.
Ndër të tjera do të bëhet dhe prezantimi i raportit të veprimtarisë së Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2021.
Do të prezantohet edhe projektligj “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për një ndryshim në vendimin nr. 69/2021 “Për përbërjen e Komisioneve të Përhershme të Kuvendit” Në përfundim do të diskutohet Projektvendim “Për një ndryshim në vendimin nr.13/2022 “Për ngritjen e Komisionit të posaçëm për Reformën Administrativo- Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.



