Muzikanti Emiljan Mesiti i ftuar në “Zgjohu me MCN” ka folur për karrierën e tij në muzikë të cilën e ka nisur që në moshën 4 vjeç kur ka nisur të marrë dhe leksionet e para në piano.
Ai shprehet se ka qenë babai i tij që ka pikasur talentin e të birit që e ka regjistruar më pas dhe në një kurs privat piano dhe në moshën 6 vjeç ka vijuar shkollën në liceun Jordan Misja.
Emiljani tha se aktualisht numëron rreth 28 vite në muzikë, ndërsa dy vitet e fundit është angazhuar më tepër në muzikën live.
Në jetën e natës kam shumë vite që kam filluar por dy vitet e fundit kam qenë shumë i angazhuar pothuajse çdo natë. Live ka atë bukurinë e vetë, mundohemi të bëjmë sa më shumë mikse dhe përshtatje. Përshtatem pothuajse në të gjitha zhanret.
Kam pothuajse 28 vite, e kam nisur që në moshën 4 vjeçare, e kam pasur si talent të lindur që ma ka zbuluar babai im i cili ka qenë dhe shtysa ime. Edhe babain e kam pasur muzikant i binte klarinetës. Kur shkonte babai jashtë na bleu një qyp, tarabuk e provon vëllai, pastaj kur më dëgjoi mua babi mbeti i habitur që munda të mbaj ritmin dhe më regjistron në liceun artistik ku bëj një kurs 2 vite dhe në moshën 6 vite konkuroj në liceun Jordan Misja për piano dhe dua të them se isha nga të vetmit nga moshatarët e mi që i bija pianos dhe më vlerësojnë me 99 pikë.
Familja ka qenë mbështetja dhe shtysa më e madhe si për çdo fëmijë. Përveç klasikes që luaja në lice babai më tregonte dhe populloren dhe ma sugjeronte gjithmonë sepse thoshte që do të duhet dhe në fakt ka dhe fitime ekonomike. Shumat më të mëdha i kemi marrë në dasma.



