Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar lidhur me transferimin në Shkodër të prokurorit Anton Martini në lidhje me përgjimet telefonike ku Jurgen Molla i akuzuari si kreu i bandës së trafikut ndërkombëtar të drogave të forta deklaronte se kishte paguar 150 mijë euro për transferimin e prokurorit të cështjes.
Kjo bisedë e përgjuar është në dhjetor të 2015, dhe është në kohën kur u bë transferimi i ish-Prokurorit të Krimeve të Rënda Anton Martini në Prokurorinë e Shkodrës. Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ka hedhur poshtë çdo hipotezë të ngritur dhe sqaron se Anton Martini nuk ka qenë prokuror i asaj çështjeje.
Ndërsa në reagimin e Prokurorisë thuhet se “Hetimi ndaj shtetasit Arben Prendi është drejtuar nga një prokuror tjetër dhe çështja ndaj tij ka përfunduar në gjykatë disa kohë më parë. Çdo aludim apo pretendim tjetër, mediatik apo publik nuk përputhet me faktet.”
Sqarimi i Prokurorisë së Përgjithshme vijon: Së pari transferimi i prokurorit Martini është bërë me kërkesë të këtij të fundit në shtator të vitit 2015-ë dhe procesi i transferimit të tij përfundoi në dhjetor 2015, pasi u shqyrtua fillimisht nga Këshilli i Prokurorisë.



