
Një takim elektoral i kryeministrit Edi Rama dhe një protestë e mbështetësve të opozitës kanë mbajtur në tension Shkodrën për më shumë se dy orë. Demokratët e Shkodrës e kanë pritur me protestë kreun e qeverisë, një manifestim që u tensionua pasi ata tentuan të marshojnë në sheshin ku ishte parashikuar të mbahej tubimi elektoral i PS-së. Në krye të marshimit, kryebashkiakja Voltana Ademi i ka kërkuar policisë së rendit të hapë rrugën dhe të lejojë qytetarët të marshojnë lirshëm. Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, e cila pavarësisht kësaj vijoi protestën ku nuk munguan përplasjet fizike dhe të lënduarit. Për shkak të incidenteve dhe përplasjeve me policinë, takimi i kryeministrit Rama nisi me 45 minuta vonesë, i rrethuar nga forcat speciale. Rama tha para socialistëve të Shkodrës se vendi ka rënë pre e planit të katërshes Meta, Berisha, Basha dhe Kryemadhi. Ai tha se përgjimet ishin skenar për të penguar hapjen e negociatave.
Rama: Opozita dhe presidenti në hall me drejtësinë që po vjen
“Plani i tyre nuk ka lidhje me Shkodrën dhe as me të ardhmen. Plani i tyre është plani i 4 njerëzve, Ilirit, Berishës, Lulit dhe fallxhores të cilët janë në një hall të madh me drejtësinë që po vjen. nëse ne do të ishim, ose nëse unë do të isha njeriu që i do të gjitha pushtetet, dy vite më parë e kisha mundësinë të hyja në zgjedhje pa ata. Ikën nga parlamenti sepse nuk donin të votonin vettingun. E mbani mend se sa shumë i jam lut Bashës për t’u marrë vesh edhe kur SHBA dhe BE u dorëzuan. Nuk u nisa nga interesi i ngushtë dhe duke parë një hap më tutje por të paktën tre hapa më tutje dhe mendova se ishte koha për të sprovuar historinë e dhimbshme, duke i ofruar PD dhe kryetarit të saj gjithçka që ai kërkoi, gjysmën e qeverisë dhe jo atë me më pak peshë, por me më shumë peshë”
Kryeministri Rama e shtyu me 45 minuta takimin elektoral në Shkodër pas situatës së tensionuar.
Fushatë në Shkodër, Ramës i zënë “pritë” në kryqëzimin e Dajçit
Një grup mbështetësish të opozitës protestuan kundër kryeministrit Rama, ndërsa kalonte në aksin Lezhë-Shkodër.
Ata janë grumbulluar në kryqëzimin e Dajçit, ku eskorta e kreut të qeverisë kaloi për të vijuar drejt Shkodrës, ku është parashikuar një takim elektoral.
Në vendngjarje ka edhe shumë forca policie, forca të grupit të gatshëm të pajisur me maska kundragaz.
Ndërkohë, edhe në Shkodër ka masa të forta sigurie.
Edhe atje, përfaqësues të opozitës kanë lajmëruar një marshim në të njëjtën orë me mbërritjen e Ramës.

Masat e sigurisë në Shkodër



