Kreu i PD Sali Berisha dënoi edhe një herë deklaratat e bëra nga Edi Rama ndaj Bullgarisë, duke i kërkuar Sofjes që ta padisë kryeministrin e Shqipërisë për shpifje si dhe të kërkojë bërjen e testit të drogës.
I bëj thirrje qeverisë bullgare ta hedhë në gjyq Ramën për shpifjen. Thirrja ime e dytë për ta, në mënyrë miqësore, është që të kërkojnë testin e drogës. Sepse vetëm një njeri që humbet çdo arsye nga shkaqet politike dhe narkotike, mund t’i lejojë vetes të ndërmarrë një sulm ndaj një vendi mik dhe aleat, siç bën ai”.
Në fjalën e mbajtur para Kryesisë së PD, Berisha paralajmëroi nisjen e protestave, që sipas tij do të jenë të gjata, të qëndrueshme dhe shkatërrimtare për atë që e konsideron si regjim të Ramës.
Ne jemi në një moment shumë të veçantë sepse kjo është pritshmëria e shqiptarëve, qytetarëve shqiptarë, u është dukur muaji gusht më i gjati i 5 viteve të fundit, sepse presin lëvizjen popullore për t’i dhënë përgjigje. Presin përgjigjen e Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka, për t’u dalë zot dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë. Protesta e gjatë e qëndrueshme, shkatërrimtare për këtë regjim është jetike dhe vendimtare për të ecur në rrugën e demokracisë. Zonja dhe zotërinj, në këtë vend nuk zbatohet më asnjë ligj. Institucionet janë të gjitha në funksion të pushtetit absolut të Ramës. Qytetarët janë më të përjashtuar se kurrë nga gjithçka. Nuk ekzistojnë qytetarë, por vetëm interesa të kësaj nomenklature të kalbur. Përgjigjja popullore ndaj tyre, është rruga më jetike, më e domosdoshme. Është detyra jonë që këtë mesazh ta përcjellim në çdo zemër, në çdo votër, në çdo derë të shqiptarëve. Ky pushtet është pushteti i dhunimit të votës. Ne ngrihemi kundër këtij regjimi me besimin më të madh se do t’u kthejmë shqiptarëve të drejtën e votës. Rama dhe regjimi i tij duhet të marrë të gjitha mësimet për dhunimet që u ka bërë votës së shqiptarëve”.
Po ashtu Berisha bëri me dije se në PD po përfundon puna për Kodin Elektoral, ku selia blu do të mbajë primare për të përcaktuar kandidatët në zgjedhjet lokale.
Ne si PD kemi edhe një moment të rëndësishëm, të fillimit të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. Imagjinoni se çfarë rëndësie jetike ka procedura demokratike që bëjmë ne në një shtet ku vota po zhduket, ku partia rivale ka ndaluar votën brenda saj. Këto primare dhe kjo procedurë janë dritë shprese për demokracinë dhe shqiptarët. Grupi i Punës përfundon së shpejti Kodin Elektoral të PD-së, që do përdoret për të gjithë procedurat zgjedhore brenda PD-së. Departamentet janë institucione themelore dhe ato të PD-së, në qendër dhe bazë, në cilat do bëjmë gjithçka të tërheqim mendjet më të ndritura të fushave të ndryshme. T’i japim vendit programin më të mirë anti-krizë dhe qeverisjes afatmesme dhe afatgjatë”.



