
Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin Skënder Krasniqi, i cili dyshohet se ekzekutoi djalin e tij Albert Krasniqi. Sipas gjyqtarit të seancës paraprake, masa e dhënë ndaj Krasniqit është një masë e përshtatshme për veprën penale që ai akuzohet.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri S.K. mund ti asgjësojë, fsheh, ndryshoj apo falsifikoj provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarët, të cilët janë familjarë të të pandehurit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Albert Krasniqi dyshohet se u vra nga babai i tij në garazhin e ndërtesës ku banonin. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00, dy ditë më parë në rrugën “Ndue Perlleshi”, në Prishtinë. Ndërkohë, ceremonia mortore u zhvillua ditën e djeshme në varrezat e Prishtinës, ku të pranishëm ishin familjarë e shumë miq të tij.
Ndërsa, Skënder Krasniqi, babai i viktimës njëkohësisht i akuzuar për vrasjen, nuk ka kërkuar të marrë pjesë në varrimin e djalit të tij. Kujtojmë se i ndjeri Albert Krasniqi ishte bashkëshorti i ish-miss Kosova, Besa Gashi, por që lidhja e tyre martesore përfundoi disa ditë më parë. Nga martesa e tyre ata kanë edhe një vajzë.



