
Shefi i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, tha se ai ishte etiketuar si një "vrasës brutal" nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, gjatë takimit që zhvilloi në samitin e G7, duke sinjalizuar rritjen e tendencave personale dhe të politikave midis SHBA dhe aleatëve më të ngushtë të saj.
"Trump më tha javën e kaluar se je një vrasës brutal", tha Juncker gjatë një fjalimi në Parlamentin e Bavarisë në Mynih të enjten, raporton Bloomberg.
“Kjo është hera e parë që Luksemburgu është kthyer në rrezik kaq të madh për Shtetet e Bashkuara. Unë mendoj se ai ka synuar shprehjen e ndonjë komplimenti, mirëpo nuk jam i sigurt”, ka vijuar më tej Juncker.
Komentet ilustrojnë konfuzionin që Trump po mbjell në mesin e aleatëve amerikanë me animin e tij proteksionist, tërheqjen nga marrëveshjet ndërkombëtare të rëndësishme për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore dhe kritikat për shpenzimet e mbrojtjes nga anëtarët e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Vërejtjet e Juncker të enjten janë gjithashtu dëshmi e mëtejshme e mosmarrëveshjes që ndodhi midis SHBA dhe anëtarëve të tjerë të grupit G-7 të vendeve më të industrializuara në një samit të 8-9 qershorit në Quebec.



