Gjatë fjalës së tij para socialistëve në mbledhjen e Asamblesë, kryeministri Rama paralajmëroi një ristrukturim institucionesh që ka për qëllim eliminimin ose bashkimin e disa prej strukturave fiktive, shumë prej të cilave sipas tij kanë qëndruar në këmbë vetëm për hir të koalicioneve.
Rama premtoi një mandat të dytë me një qeveri besnike ndaj votuesve që i dhanë mundësinë për të qeverisur edhe 4 vjet të tjera.
Për kreun e PS-së, dialogu me opzoitën do të vijojë nëpërmjet qasjeve të reja.
Pjesë nga fjala e Ramës
Mos harroni na besuan dhe na votuan më tepër nga çfarë presin nga ne në këto 4 vjet se për atë që kemi bërë deri tani. Do të jemi një parti besnike ndaj votuesve, një grup parlamentar besnik, një qeveri besnike. Në krye të tipareve të qeverisë së re do të jetë besnikëria ndaj zgjedhësve dhe vullneti për të qeverisur me përgjegjshmëri.
Jemi vendi me më pak punonjës në administratën shtetërore në rajon dhe vendi me më shumë drejtorë në rajon. Duhet të sulmojmë në të gjithë frontin duke krijuar operacione intensive për reformim sistemesh, rivlerësim burimesh njerëzore.
Do të vijojmë të jemi të gatshëm për dialog me opozitën. Do të kemi një sjellje proaktive me të duke i shtrirë dorën në çdo hap.
Mandati do të karakterizohet nga operacione jokonvencionale në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe luftës kundër korrupsionit.
Arsyeja e ekzistencës së disa strukturave ka vdekur me kohë por ato janë mbajtur gjallë nga kanceri i koalicioneve.



