Policia e Shtetit ka apeluar qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj tentativave mashtruese që synojnë marrjen e kontrollit të llogarive të tyre në aplikacionin WhatsApp.
Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, Policia bën të ditur se janë konstatuar raste të qarkullimit të mesazheve dhe lidhjeve (linkeve) mashtruese, përmes të cilave autorët tentojnë të marrin akses në llogaritë personale të përdoruesve.
Sipas Policisë, mashtruesit përdorin forma të ndryshme manipulimi, duke dërguar linke me pretendime si pjesëmarrje në konkurse, votime online apo konfirmime veprimesh. Pas klikimit të tyre, përdoruesit udhëzohen të vendosin kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp-it.
Ky kod, i cili shërben për verifikimin e llogarisë, përdoret më pas nga autorët për ta regjistruar atë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.
Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të ndjekin disa masa sigurie:
-Të mos klikojnë në linke të dyshimta, edhe kur ato dërgohen nga persona të njohur;
-Të mos ndajnë me askënd kodin e verifikimit të WhatsApp-it;
-Të aktivizojnë funksionin Verifikimi me dy hapa (Two-Step Verification) në aplikacion;
-Në rast dyshimi se llogaria është komprometuar, të ndërhyjnë menjëherë për rikuperimin e saj dhe të njoftojnë kontaktet.
Policia thekson se kujdesi i përdoruesve është një nga mënyrat më të rëndësishme për t’u mbrojtur nga mashtrimet kibernetike dhe vjedhja e të dhënave personale.



