
Mbledhja e parë e Konferencës së Kryetarëve, për të filluar përcaktimin e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë, do të mbahet gjatë kësaj dite.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, pas propozimit nga krerët e Grupeve Parlamentare vendosi datën 4 maj në orën 12:30, si ditë kur do të mbahet mbledhja e Konferencës.
Në rendin e ditës është parashikuar fillimi i procedurave për zgjedhjen e Presidentit. Më pas do të përcaktohet data e raundit të parë të votimit për Presidentin.
Socialistët kanë paralajmëruar se lobimi i tyre ka vijuar për një “President të shqiptarëve”, dhe të zgjidhet në konsensus me Grupet Parlamentare të opozitës.
Pas mbledhjes së parë të Konferencës së Kryetarëve, pas shtatë ditëve vijon seanca tjetër.
Ndërsa 24 maji është afati i fundit që përcakton Kushtetuta për procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Presidenca e shtatë në Shqipëri do të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022.



