
Lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviç, i vrarë më 16 janar në Mitrovicën veriore, u varros sot në Beograd. Qytetarë dhe politikanë serbë nga Serbia e Kosova morën pjesë në varrim, i cili sipas mediave serbe u bë vetëm me rite fetare dhe pa fjalime politikanësh.
Në ceremoninë e varrimit ishte i pranishëm një delegacion i qeverisë së Serbisë, që kryesohet nga kryeministrja Ana Bërnabiç, ndërsa pjesë e tij ishte edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në këtë qeveri, Marko Gjuriç.
Ivanoviç u varros në Varrezat e Reja të Beogradit.
Ai u vra dy ditë më parë teksa shkonte në zyrën e tij në Mitrovicë. Serbia i ka kërkuar EULEX-it përfshirjen e saj në hetimet për vrasjen e Ivanoviçit. Por qeveria e Kosovës e ka refuzuar përfshirjen e organeve shtetërore të Serbisë në hetimet që po zhvillohen rreth vrasjes së ish-liderit të serbëve të veriut.
Në emër të kabinetit të kryeminsitrit të Kosovës, Halil Matoshi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se shteti i Serbisë nuk ka dërguar ndonjë kërkesë zyrtare për përfshirje në hetime.
Ai ka theksuar se askush nuk ka të drejtë nga jashtë që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Republikës se Kosovës, përveç mekanizmave relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, që janë të autorizuar për të siguruar një ambient të sigurt në Kosovë.
“Dhe, për të hequr dilemat, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ftuar eventualisht FBI-në që të jetë pjesë e hetimeve”, ka thënë Matoshi.



