
Kosova është e përfshirë nga ethet e fushatës elektorale, ku nuk kanë munguar as përplasjet. I tillë ishte edhe rasti i mbledhjes së sotme të KQZ, ku kryetarja Valdete Daka, ka pohuar se asnjëherë ky institucion nuk ka qenë më i politizuar.
Lidhur me ecurinë e fushatës, në Skype për edicionin e lajmeve MCNTV ka folur analisti dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje z. Ardian Gola.
Ai ka theksuar si të rëndësishme faktin se Kosova dhe veçanërisht vetë populli kosovar janë një hap para në njohjen e politikës. Sipas tij kjo është një shenjë e dëshpërimit masiv e popullatës si pasojë e një qeverisje të gabuar e cila tregohet edhe në shifrat e larta të mërgimit. Ndërsa përplasjet në KQZ ai i ka cilësuar si një reflektim dhe tentativë e një regjimi të vjetër.
“Ajo që dua të theksoj është fakti se tashmë Kosova është në një gjendje mobilizimi masiv dhe ajo që e shuan këtë është që populli është një hap përpara njohjes së politikës. Është një shenjë e qartë e një dëshpërimi masiv e një qeverisje të gabuar dhe ajo që KQZ është duke bërë është pikërisht një shenjë tjetër se si kemi të bëjmë me një përpjekje për të bllokuar nga format më të ndryshme atë që ka marrë rrjedhën, mërgata dhe Vetëvednosje në këtë mënyrë do të bëjë përpjekje të veçantë për të bllokuar mërgimin. Rreth 200 mijë aplikime kemi pasur nga mërgata. Ndërsa për përplasjet në KQZ, mund të them se janë reflektim dhe tentativë të një regjimi të vjetër”, u shpreh Gola.
Ndërsa i pyetur se çfarë do të ndodhë me votat për Albin Kurtin pasi KQZ ka paralajmëruar se vota për të do të jenë të pavlefshme, analisti Gola deklaroi se kjo nuk e dëmton aspak Vetëvdnosjen si subjekt politik, dhe se siç shprehet ai heqja e Kurtit nga lista është një tentativë për të krijuar mjegull në elektorat.
“Unë nuk besoj se kjo e dëmton Vetëvendosjen sepse Albin Kurti tashmë është një figurë e pakentostueshme dhe është një simbolikë e një rezistence simbolike politike dhe heqja e tij nga lista është një tentativë për të krijuar mjegull në elektorat, por unë i siguroj qytetarët që vota për të tregon një peshë për Kurtin dhe nuk do ketë humbje të votës së subjektit”, tha ai.



