Reshjet e dëborës kanë përfshirë zonat veriore dhe juglindore të vendit gjatë orëve të para të mëngjesit, duke sjellë vështirësi të pjesshme në disa akse rrugore.
Në një njoftim zyrtar, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bëri me dije se aktualisht e bllokuar mbetet vetëm zona e Qafë Thorës, për shkak të rënies së vazhdueshme të ortekëve.
Sipas ARRSH, gjatë natës ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar, ndërsa në lartësi mbi 800 metra në veri dhe në zonat juglindore reshjet janë shndërruar në dëborë.
Reshje dëbore janë regjistruar në akset: Bajram Curri–Valbonë, Ura e Bujanit–Qafë Morinë, Fierzë–Bajram Curri, Kukës–Krumë, Kukës–Shishtavec, Hani i Hotit–Vermosh, Bogë–Theth, Qukës–Qafë Plloçë, Korçë–Voskopojë, Korçë–Ersekë dhe Ersekë–Tre Urat.
Autoritetet sqarojnë se, përveç Qafë Thorës, të gjitha akset e tjera janë të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht. Në terren ndodhen kontraktorët me mjete borëpastruese dhe punëtorë, të cilët po punojnë për pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës për të parandaluar ngricat.
ARRSH u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht në segmentet ku ka prezencë dëbore.



