Richard Grenell, i dërguari i SHBA-së për takimin mes Kosovës dhe Serbisë, ka komentuar letrën e dërguar nga disa deputetë të Parlamentit Europian në drejtim të kancelares Angela Merkel, të cilës i kërkuan që të vendosë në axhendën e Këshillit Europian çështjen e liberalizmit të vizave për Kosovën.
“Më në fund. Ky është një lajm i mirëpritur edhe nëse ka si qëllim vetëm disa biznese. Përqendrimi i SHBA-së në normalizimin ekonomik ka motivuar evropianët të ndërmarrin veprime. Ne jemi të lumtur t’i shohim ata duke marrë udhëheqjen,”-ka shkruar Grenell në rrjetin social Twitter.
Në letrën e dërguar Merkel eurodeputetët shkruajnë se Kosova i ka përmbushur kriteret e kërkuara nga BE-ja për këtë çështje. Ndërkohë Gjermania pritet të marrë udhëheqjen e Këshillit Europian duke filluar nga 1 korriku.
Edhe më herët Grenell ka ka folur për liberalizimin e vizave për Kosovën. Madje më 20 qershor pas shkëmbimit të disa mesazheve në ‘tëitter’ me raportuesen e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ai i tërhoqi vëmendjen asaj të mos e kritikojë administratën amerikane për çdo gjë, por të përqendrohet në liberalizimin e vizave.
“Viola, në vend se të kritikoni çdo gjë që bën administrata Trump për të ndihmuar në normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, pse nuk koncentrohesh vetëm në një gjë që duhet ta bësh: liberalizimin e vizave për Kosovën. Jeni ankuar për të tjerët për më shumë se 20 vjet. Bëni pjesën tuaj,”- shkruajti atë ditë Grenell.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe presin që edhe BE-ja tash të mbajë fjalën dhe të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës. Shteti ku banojnë pjesa tjetër e shqiptarëve është i vetmi në Ballkanin Perëndimor, i cili ende nuk e ka fituar të drejtën e liberalizimit të vizave.



