Komisioni i Jashtëm i Vetingut ka konfirmuar në detyrë drejtorin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, Pëllumb Seferin. Zyrtari i policisë që mban gradën drejtues i Lartë u përball me verifikimin në tri kriteret, të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Trupa vlerësuese përbëhej nga Ana Kapaj kryesuese, Kozeta Ndoji relatore dhe Marjeta Gjelaj anëtare.
Në seancën e zhvilluar një ditë më parë, Komisioni i Vlerësimit konstatoi probleme në deklarimin e pasurisë, në kuadër të vettingut. Sipas komisionit, Pëllumb Seferi nuk vërteton dot burimin e ligjshëm të parave që ka marrë hua për të blerë dy banesa. Për të vërtetuar pasaktësisë dhe mungesat e deklarimeve, Komisioni ndoqi një praktikë të re, duke i dhënë mundësinë Seferit të thërrasë dëshmitarë.
Katër dëshmitarë dhanë sqarime para Komisionit për burimin e parave që i kanë dhënë hua drejtorit të policisë për blerjen e shtëpisë, si dhe për kursimet e përfituara në bursa në Itali. Për dy kriteret e tjera, Seferi rezultoi i pastër dhe me vlerësime në punën e tij të kryer përgjatë 22 viteve karrierë.



